Dy personat që u arrestuan një ditë më parë pasi goditën një mjeke në spitalin infektiv në QSUT, kanë dhënë dëshminë e tyre para autoriteteve.
Sipas News24, shtetasit Igli Spahia dhe Bledar Bali kanë deklaruar në polici se gjithçka ka ndodhur pasi kanë qenë në gjendje të dehur dhe të hidhëruar nga humbja e familjarit të tyre në spital.
Ata gjirhashtu kanë shprehur rezerva për ekipin mjekësor, pasi sipas tyre, mjekja nuk është kujdesur për të afërmin.
“Kemi qenë të dehur dhe të hidhëruar me lajmin për vdekjen e familjarit. Mjekja nuk u kujdes për të dhe kemi shumë rezerva për ekipin mjekësor”, mësohet të jenë shprehur ata para policisë.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë në spitalin infektiv. Spahia dhe Bali dhunuan mjeken me iniciale E.D., pas vdekjes së familjarit të tyre.
Ata u arrestuan nga policia, ndërsa nesër pritet të jepet për ta masa e sigurisë.