Policia e Tiranës ka arrestuar një 31-vjeçar që dhunoi ish-bashkëjetuesen në sy të policëve, teksa këta të fundit nuk reagonin pothuajse fare.
Lajmi u publikua ditën e djeshme nga “JOQ”, e cila publikoi edhe videon nga momenti i dhunës.
“Reagim i DVP Tiranë
Në lidhje me një video të postuar ditën e djeshme në portalin JOQ, në të cilën shfaqen dy shtetas që konfliktohen fizikisht me njëri-tjetrin, në sheshin “Skënderbej”, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 menjëherë pas publikimit të pamjeve kanë organizuar punën për identifikimin e personave që shfaqen në video dhe kanë shoqëruar në komisariat autorin e dyshuar, shtetasin J. C., 31 vjeç.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 bënë arrestimin e tij për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi në sheshin “Skënderbej” ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëjetueses.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”- thuhet në njoftim.