Policia ka parandaluar një ngjarje të rëndë në Dibër dhe ka arrestuar një 38-vjeçar, i cili ka dhunuar dhe kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij, në fshatin Lishan të Peshkopisë.
Sipas uniformave blu, mësohet se gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, janë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, 3 granata dore të montuara me kapsolla ndezëse, 1 krehër pistolete dhe një sasi municioni luftarak.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas njoftimit nga një 38-vjeçare se në banesë, në fshatin Lishan, njësia administrative Luzni, bashkëshorti i saj po e dhunonte dhe po e kërcënonte për ta vrarë, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të shërbimeve të Policisë u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në fshatin Lishan.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, 3 granata dore të montuara me kapsolla ndezëse, 1 krehër pistolete dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./Opinion.al