Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja këtë pasdite në lidhje me dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesit.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se avokati u godit për shkak të detyrës.
Autorët e dhunës ndaj avokatit janë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërsa një person i katërt i quajtur Romario Tabaku ka ndihmuar autorët e dyshuar për t’i larguar nga vendngjarja me makinën Audi me targa AB696JT. Ndërsa si organizator, Policia e Tiranës dyshon të jetë Dritan Nano 58 vjeç.
Teksa, Tonin Vocaj ishte në konferencë shtypi, njëri nga autorët e dyshuar, Dorian Alia 32 vjeç u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.
Vocaj u bëri thirrje qytetarëve që të japin informacione nëse kanë dijeni për vendndodhjen e autorëve të dyshuar dhe ka vënë në dispozicion 20 mijë Euro shpërblim.
Për këtë ngjarje, Policia e Tiranës e ka referuar dosjen në Prokurori për akuzën e vrasjes së funksionarëve publik të mbetur në tentativë.