Arta Dade dhe Mimoza Hafizi, dy deputetet që janë rreshtuar në krah të Ben Blushit në garën e tij për kryetar të Partisë Socialiste, kanë dënuar ngjarjen e ndodhur ditën e premte në Elbasan, ku Blushi u fishkëllye dhe u tentua të goditej gjatë prezencës së tij në mbledhjen e Partisë Socialiste. Të dy deputetet i kanë dërguar një letër grupit parlamentar të Partisë Socialiste ku i kërkojnë që më datë 7 mars të ketë një mbledhje për të analizuar atë çfarë ndodhi në Elbasan; ngjarje të cilën e kanë cilësuar si jo demokratike për vlerat e PS-së,
“Të nderuar kolegë , të shqetësuara nga incidenti i dhunshëm ndaj kolegut Ben Blushi në takimin e Partisë Socialiste në Elbasan, ngjarje që s’ka asnjë lidhje me vlerat demokratike të PS, kërkojmë të ndalemi për ta trajtuar këtë çështje në mbledhjen e grupit të ditës së hënë, datë 7 Mars”, thuhet në letrën e dy deputeteve për grupin.