Nexhi hyri në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me një buzëqeshje plot dritë. “Jam e fortë”, iu përgjigj ajo habisë së Ardit Gjebreas pasi rrëfimi i saj nuk është i lehtë.
Kur Nexhi ishte 19 vjeçe, babai i saj ndërroi jetë. Veç dhimbjes, familja shqetësohej për problemet ekonomike por edhe për nënën sepse kaloi në depresion të thellë. Më vonë, Nexhi fitoi mundësinë për të vijuar studimet në Tiranë dhe vendosi që të mos e humbiste. Ardhja në kryeqytet përkoi edhe me njohjen e një djali, 10 vite më të madh se ajo por që e donte shumë dhe nisën bashkëjetesën.
Nexhi: Në fillim duheshim dhe ne vendosëm që në momentin që u njohëm, të bashkëjetonim. Ai ndodhej në Tiranë.
Ardit Gjebrea: Menjëherë?
Nexhi: Menjëherë, pa u njohur. Në fillimet tona ishim shumë në rregull bashkë, pavarësisht se familja e tij nuk donte që të ishim bashkë.
Ardit Gjebrea: Pse?
Nexhi: Sepse ai nuk punonte, edhe pse ishte 10 vjet më i madh se unë. E doja shumë, është normale se isha e vogël dhe gjithmonë kam dashur një person më të madh se mendoja se do të mësoja diçka, do të ndihesha e mbrojtur nga çdo gjë. Vendosëm të fejoheshim.
Ardit Gjebrea: Familja e tij vazhdonte të ishte kundër, po?
Nexhi: Familja e tij po, por gjtihmonë duke bashkëjetuar në shtëpinë e tij. Unë punoja, por ai i filloi xhelozitë, filloi të më hiqte nga puna, unë filloj një punë ndërkohë që vetë nuk punonte. Nëna e tij vendosi të na nxirrte në shtëpi me qira kur ne të dy realisht ishim pa punë sepse nuk duronte dot, mbase mua sepse gjithmonë është shprehur që ishin një dhomë e kuzhinë dhe “nuk kemi ambient”. Më thoshte mua “ti je në fejesë, nuk ke pse të rrish me mua por shko te mami jot dhe hajde me ditë”, i thoja po unë jam në Elbasan ndërkohë që jam në shkollë, punë e të gjitha. Gjithë agresiviteti i tij binte mbi mua dhe më dhunonte.
Ardit Gjebrea: Kur filloi dhuna?
Nexhi: Në fejesë, pas një viti e ca.
Ardit Gjebrea: Deri në atë kohë nuk kishte asnjë shenjë dhune, jo?
Nexhi: Kishte pak, por që unë nuk i vija re. Kishte ndonjë agresivitet në fjalor, në dhunë psikologjike, por gjithmonë kur femra dashuron i errësohen ndonjëherë sytë dhe nuk shikon më gjatë.
Ardit Gjebrea: Por jo fizike?
Nexhi: Jo fizike. Më mbrapa filloi dhuna fizike, për çdo fjalë timen u dukej sikur unë kundërshtoja, sikur unë isha për keq kur unë ndërkohë isha vetëm 20 vjeçe dhe i thoja që unë dua të mësoj, dua të mësoj edhe nga ti. Ndërhynte deri te pjesa e sistemimit të dollapit që “unë jam nëna, kam 30 vjet që unë e rris dhe do t’ia rregulloj si të dua unë”, ndërkohë që unë i thoja por është edhe dëshira ime që t’i sistemoj, t’i rregulloj dhe përpos kësaj, vinte dhuna fizike nga ish-bashkëshorti im.
Për 7 vjet, Nexhi duroi e nënshtruar ndaj dhunës. E pyetur për arsyen, ajo u shpreh “nuk mund të largohej nga ajo strofull” sepse pavarësisht mbështetjes nga familja, trembej nga kthimi në Elbasan./tvklan.al