Materiale për të ndërtuar bomba, pushkë, municione dhe një ditar lufte u gjetën në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e policëve në Dallas. 5 oficerë policie u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën si pasojë e të shtënave gjatë një proteste të enjten kundër vrasjes së njerëzve me ngjyrë nga policia.
I dyshuari, 25-vjeçari Micah Johnson u vra pas përballjes me policinë në ndërtesën ku ishte mbyllur në qendër të Dallasit.
Fillimisht, hetuesit dyshonin se bëhej fjalë për disa agresorë dhe të paktën dy snajpera. Pavarësisht arrestimit të tre të dyshuarve të tjerë, policia tashmë pretendon se Johnson veproi i vetëm dhe se ai është përgjegjësi për vrasjen dhe plagosjen e oficerëve të policisë.
Policia amerikane tha se gjatë negociatave me Johnson, ky i fundit tregoi se kishte vepruar i vetëm dhe se ishte i zemëruar për vrasjen e njerëzve me ngjyrë nga policia. Prandaj donte që të hakmerrej duke vrarë njerëz të bardhë, veçanërisht agjentë të bardhë policie. Pas dështimit të negociatave për dorëzimin e tij, policia eliminoi fizikisht Johnsonin përmes një bombe të dërguar nga një robot.
Johnson, një rezervist i ushtrisë, nuk kishte dosje kriminale dhe vite më parë kishte shërbyer në Afganistan. Ai shfrytëzoi një protestë paqësore në Dallas kundër dhunës policore për të zënë në befasi policinë, e cila që në orët e para të ngjarjes, pa ideinfitikuar agresorin, tha se sulmi ishte në stil ushatarak.
Protesta e Dallasit u organizua pas vrasjes nga policia të dy njerëzve me ngjyrë brenda 48 orësh, 32-vjeçari Philando Castile në Minesota dhe 37-vjeçari Alton Sterling në Luiziana.