Detaje të reja nga ngjarja e mesnatës në qytetin e Durrësit, kur persona ende të pa identifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së Denis Shtrazës, arrestuar me akuzën e vrasjes së Gazmend Çollakut.
Nga të shtënat, mbeti i plagosur nipi i Shtazës, një fëmijë 12 vjeç. Fëmija u dërgua gjatë mesnatës në Spitalin e Traumës në Tiranë nga ku mësohet se plumbi i ka përshkuar tej për tej kafkën, raporton Panorama.
Nga hetimet e para rezulton se fëmija është goditur nga një plumb rikoshetë, ndërkohë që dyshohet se banesa është qëlluar nga një distancë e afët.
Ndërkohë, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur 17 gëzhoja arme, të cilat po ekzaminohen.
Dyshohet se të shtënat janë presion ndaj Shtrazës, që aktualisht ndodhet në burg për rrëmbimin dhe vrasjen e Çollakut.