Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 39-vjeçarit shqiptarit, Bledar Dedja, baba i dy fëmijëve, i cili është gjetur i masakruar me thikë në një zonë të pyllëzuar në Paderno del Grappa të Italisë.
Sipas mediave italiane, autoritetet dyshonin se shqiptari është vrarë pasi është grabitur, por hetimet e kanë çuar në një tjetër pistë, pasi dyshohet se bëhet fjalë për një krim pasioni, në kuadër të njohjeve “intime” të 39-vjeçarit, i cili u gjet pjesërisht i zhveshur, me pantallonat ulur.
Raportohet se shqiptari me gjasë ka tentuar t’i ikte vrasësit nga takimi që përfundoi keq, duke u larguar gati 100 metra nga makina, e cila u gjet në vendin ku ndodhi krimi.
Po ashtu, thuhet se portofoli dhe të gjitha sendet personale të shqiptarit nuk janë prekur dhe kjo ka bërë që hetuesit ta përjashtojnë grabitjen si pistë hetimi.
Karabinierët kanë marrë në pyetje familjarët dhe miqtë e 39-vjeçarit, për të zbuluar se kë do të takonte pasditen e së shtunës, pasi kjo është ende mister.
Nga ekzaminimi fillestar rezulton se ai ka marrë plagë edhe në gjymtyrët e sipërme, shenjë se 39-vjeçari mund të jetë përpjekur të mbrohej nga goditjet duke kapur edhe tehun me duar.
Zona ku ndodhi vrasja nuk është e pajisur me kamera sigurie, dhe sipas raportimeve, e vetmja shpresë është që makina “Mercedes” e viktimës, e cila mund të jetë kapur në një prej kamerave private të instaluara nga shtëpitë private në zonë, për të kuptuar nëse ai ka qenë në shoqërinë e dikujt tjetër në mjet, apo vetëm.