Hekuran Murati dhe Arbëria Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.
Kjo ishte hera e dytë që Murati u propozua për këtë post, dhe hera e parë për Nagavcin.
Më pas, partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit propozoi deputetin Dimal Basha për postin e kryeparlamentarit.
Para seancës, përfaqësuesit e partive politike – që mandatin e kaluar ishin në opozitë – përsëritën qëndrimet e tyre sa i përket çështjes së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimeve Musliu tha se ka marrë vendim që të mos e votojë asnjë kandidat të propozuar nga LVV-ja, pasi argumentoi se kjo parti “është duke e mbajtur peng shtetin” që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare.
Ky ishte vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht.