Kreu i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar pas takimit 3 orësh me kryeministrin Edi Rama se kishte kërkuar zgjidhje për moskapje politike të drejtësisë.
“Si kryetar i PD erdha sot në këtë takim me përfaqësues më të lartë të mazhorancës, me vullnetin për të kërkuar dhe ofruar zgjidhje, që do i japë shqiptarëve një drejtësi që lufton dhe nuk mbron korrupsionin dhe për këtë PD ka pasur që prej ditës së parë të vetmin kusht, moskapjen politike të drejtësisë.
Nëse politika nuk do i mbronte Shullazët me shokë, padyshim që drejtësia do vepronte, por drejtësia trembet nga një pushtet politik i cili prioritet ka të mbrojë kriminelët që i gjenden pranë ditën e votimit. Ne kemi dhënë kontributin tonë…”, tha Basha duke e quajtur test të vullnetit politik për reformën në drejtësi takimin e sotëm.
Sipas Bashës, është mazhoranca ajo që nuk e do reformën në drejtësi dhe do që ta realizojë sipas mënyrës së vet.
“Me siguri kryeministri ka thënë këtu para jush se është PD ajo që e pengon reformën në drejtësi, faktet tregojnë të kundërtën, sot detajuam propozimin tonë bazuar mbi rrugëzgjidhejn që dha Venecia për vendet e rezervuara si pikA e vetme që ndan palët. Thjesht nuk u pëlqen, është kaprico…”
“Mazhoranca erdhi me konkluzione të përgatitura dhe me sa më thonë dhe me fjalim të përgatitur jo për të kërkuar zgjidhje por për të krijuar alibitë pse s’mund të ketë reformë konsensuale dhe për t’i vënë fajin kundërshtarit, kjo është një lojë e vjetër politike në Shqipëri”.
“Rregullat e lojës s’mund të jenë ato që garantojnë kapjen politike…vetëm ajo mbart përgjegjësinë e abortimit në çastin e fundit të një konsensusi që do i jepte Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht.
Faktori ndërkombëtar dhe shqiptarët duhet ta dinë se nuk kërkojmë e nuk mbështesim asgjë me shumë se atë që OPDAT dhe EURALIUS kanë porpozuar që prej muajit shkurt.
S’do pranojmë kurrë më pak se moskapja politike e drejtësisë”, e mbylli fjalën e tij Basha.