Në seancën e së enjtes të dosjes “Plumbi i artë” Gjykata e Posaçme dëgjoi dëshminë e Xhemal Liçit, kambistit të grabitur dhe qëlluar me armë nga i penduari, Nuredin Dumani.
“Jam pyetur më herët në prokurori për ngjarjen e 19 dhjetorit 2012. Merresha me këmbim valute. Unë dilja në 6:30 nga shtëpia në lagjen Kala në Elbasan. Dola, nuk pandeha se do më qëllonin. Dola dhe futa lekët në makinë. Kisha 12 mln të reja me vete. I kisha në një çantë lekët. I lashë në bagazh dhe u ktheva të mbyll derën e shtëpisë. Pastaj pashë që ishin 4 vete. Më qëlloi njëri, 2 herë në gjoks dhe 2 në këmbë”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha më tej se personat me pas morën paratë, ndërsa ai humbi ndjenjat.
“Personat që më sulmuan ishin me kapuçë. Ishin me uniforma doku blu, si policia, si ato të ndërhyrjes së shpejtë. Unë konstatova një makinë aty afër kur dola, por ishte me xhama të zinj dhe me vesë mbi xhama. Kur ndodhi ngjarja nuk kisha ndonjë person konkret të dyshuar”, u shpreh Liçi, raporton A2 CNN.
Dëshmitari tregoi se pas ngjarjes, disa herë vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela i kishte shkuar në dyqan dhe e pyeste nëse kishte mësuar se kush ishin ata personat.
“Ai punonte taksixhi në të zezë. Thyente ndonjë 20-30 euro. Kur nuk kishte njerëz aty, pyeste. I thashë, ty nuk të vjen keq për mua. Duket sikur ke mizë në kësulë. Ke ardhur deri tani, mos të të shoh më në dyqan”.
Dëshmitari rrëfeu se nuk e njihte Talo Çelën, por se e kishte parë në TV.
“Një vit para se të fliste Dumani unë e pashë Talo Çelën në një intervistë në televizion dhe e njoha, nga përmasat e trupit, si një nga personat që më ka goditur në ngjarje. Ai ka qenë pas Dumanit në ngjarje”.














