Skeleti i një njeriu është gjetur 10 km larg qendrës së kryeqytetit. Eshtrat u gjetën në shpatin e malit, pranë Shkallës së Tujanit. Ai që lajmëroi policinë kur pa kufomën është Besjan Qordja, banor i fshatit Tujan, i cili rrëfen për Televizionin Klan momentin e gjetjes së mbetjeve njerëzore, kur po mblidhte shërbelë.
Besjan Qordja:“Isha duke mbledhur shërbelë, kur vura re ishte një kufomë aty në tokë, ishte skeleti, kafka dhe disa pjesë të tjera të trupit dhe menjëherë njoftova policinë. Aty kishte rroba, një bluze, një xhup i zi dhe një palë këpucë të zeza. Nuk dallova shenja plumbash në to, ngaqë nuk i kam prekur me dorë. Gjithashtu tek pjesa e kafkës dalloheshin edhe pak flokë. Kufoma ishte lart në faqen e Dajtit, në Shkallën e Tujanit i mbuluar me gurë. Terreni ku gjendej kufoma është tepër i vështirë dhe i pjerrët. Ajo që më bëri përshtypje fillimisht ishin këpucët, pastaj pashë kockat dhe rrobat.”
Kufoma është e seksit mashkull dhe dyshohet të jetë moshë madhore. Sipas policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se viktima, ende i paidentifikuar, ka gjetur vdekjen rreth 3-4 vjet më parë. Kryeplaku i fshatit Tujan, Dashamir Kalaja shprehet se në fshat nuk ka asnjë person të humbur dhe dyshimet janë tek ndonjë turist i huaj.