Zef Maca, tregtar mishi në pazarin e Milotit, ka parë skenën e rëndë, kur makina e invalidit mori para tregtarë e blerës.
“Jam i tronditur. Makina mori superxhiro e përfundoi te çifti që po shiste në cep”.
Ai tregon momentet e aksidentit fatal dhe pamundësinë për të shpëtuar nga vdekja 70vjeçarin.
Ndërkohë, Maca thotë se ka shpëtuar vetë për pak, sepse ndodhej vetëm 5 metra larg nga përplasja që invalidi shkaktoi në mes të tregut.
Ju ishin në treg kur u shënua aksidenti i rëndë. A mund të tregoni se si ndodhi ngjarja?
Unë e kam parë këtë personin që në mëngjes kur erdhi në treg. Ai parkoi makinën këtu afër dyqanit tim dhe doli nga mjeti me një karrocë invalidi. Nuk e kuptoj si arriti të dilte, pasi me sa pashë unë ai kishte probleme me këmbët, m’u duk se ishte i paralizuar. Më pas ka qëndruar
për rreth 1 orë brenda tregut dhe është rikthyer tek automjeti për t’u larguar. E kam parë se hipi në automjet dhe po dilte nga parkingu. Në ato momente makina ka marrë superxhiro dhe u ngrit në ajër nga pjesa e përparme. Fillimisht është përplasur me një dyqan dhe më pas ka marrë përpara një njeri e përplasur të tjerët.
Dy bashkëshortët që humbën jetën, ku ishin dhe çfarë po bënin?
Ata ishin në krahun e majtë të tregut, duke shitur në rrugë disa produkte bujqësore. Mjeti humbi kontrollin dhe shkoi në drejtim të tyre. Ata nuk e kishin mendjen dhe i kapi në befasi, pasi gjithçka ndodhi në pak sekonda. Përplasja ka qenë e fortë dhe fillimisht pashë që goditi ata makina e pastaj edhe të tjerë persona që ishin më larg. Makina e invalidit është ndaluar vetëm pas nja 50 metrash, kur është përplasur të një dyqan dhe nuk mund të lëvizte më.
Ju shkuat në ndihmë? Si ishte gjendja e të përplasurve?
Ata kanë marrë plagë të shumta të them të drejtën. Unë kam shkuar i pari për t’iu ardhur në ndihmë, por ai burri kishte marrë plagë të shumta dhe ka gjetur vdekjen në një hark kohor të 5 minutave. Kanë qenë persona të tjerë të cilët njoftuan policinë në lidhje me ngjarjen.
Menjëherë kanë ardhur dy ambulanca, por rruga ishte bllokuar dhe nuk mundën të hynë në treg. I kanë marrë të plagosurit në krah, duke i nxjerrë në autostradë e pastaj i kanë çuar në drejtim të spitalit. Më vonë nuk e di çfarë ka ndodhur. Unë jam akoma i tronditur nga ajo që pashë këtu.
Po shoferin e patë pas aksidentit si reagoi?
Unë në fakt se kisha mendjen aty, por doja t’u vija në ndihmë personave të dëmtuar. E kam parë se ishte shumë i shokuar nga ajo çfarë ka ndodhur dhe me vështirësi zbriti nga automjeti. E pashë se po i shkonin lot dhe më pas erdhi policia dhe e mori dhe nuk e di çfarë është bërë pastaj.
Ju e njihnit çiftin Marku, çfarë tregtonin ata?
Unë i kam parë sot për herë të parë, pasi ishin duke shitur në rrugë para dyqanit ku shes mish unë. Pashë që kishin ardhur që në mëngjes dhe po shisnin disa prodhime bujqësore. Unë s’i kam parë ndonjëherë tjetër, edhe pse unë dal çdo të diel në treg, pasi me këtë punë mbaj familjen time. Për fat kam shpëtuar edhe unë se isha vetëm 5 metra larg kur u nis makina në atë lloj mënyre.
A lëvizin çdo javë mjetet brenda pazarit në mes të njerëzve?
Po, lëvizja e mjeteve është e vazhdueshme këtu. Kjo nuk më duket aspak normale, pasi këtu vijnë me qindra persona çdo të diel, për të shitur dhe blerë. Lëvizja e makina mes turmave të njerëzve është një rrezik serioz, por policia nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar lëvizjet brenda tregut. Duhet të ishte reaguar me kohë dhe jo të shkohet deri në situata të tilla, pasi kjo që ndodhi sot këtu është një tragjedi e vërtetë.