Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e ka cilësuar qesharake thirrjen në SPAK të koleges së tij, Elda Hoti, në lidhje me lëndën që u hodh në Kuvend dy javë më parë.
“Jam me kolegen Elda Hoti, e cila duhej sot të ishte në seancë, por në mënyrë qesharake, ishte thirrur në SPAK sepse Elis Spiropali, përfaqësuesja e Pëllumb Gjokës në Kuvend, kishte ndjerë një aromë të keqe. Këtë fillimisht kishte ardhur ta nuhaste drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, që është i emëruari i bandave të Elbasanit në krye të policisë së Shtetit, dhe mbi bazën e nuhatjes, sot koleges time iu mor 30 minuta kohë për një çështje qesharake.
Grupi i PD ka paditur vjedhjet miliona euro për inceneatorët dhe kemi katër 4 vite që s’marrin përgjigje. As për Belinda Ballukun që ka vjedhur 180 mln euro nuk ka gjetur kohë ta thirrin.
Disa prokurorë janë në shërbim të Edi Ramës, por të arrijnë deri në pikën që të bëhen qesharak që të humbin kohën me çështje qesharake, kjo pastaj vë në pikëpyetje të gjithë besimin te e gjithë trupa e prokurorëve.
Padyshim që Policia e shtetit nuk ka asnjë lidhje me seancën plenare dhe SPAK duhej ta kishte marrë nën hetim. Ka një kallëzim nga ana jonë që pret atje, por nuk ka prioritet për SPAK. Prandaj dhe e shfrytëzoj këtë hapësirë tu bëj thirrje prokurorëve të fokusohen në luftën ndaj krimit he korrupsionit galopant të kësaj qeverie. Nuk kemi një sekondë kohë për të humbur me çështje qesharake. Këto janë çështje idiote, nëse duan të bëjnë punën të thërrasin Belinda Ballkun për vjedhjen me shitblerje energjie dhe tunelin e Llogarasë”,-tha Bardhi para gazetarëve.