Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka të prerë qëndrimin kur pyetet se kur do t’i dekretojë ministrat Arben Ahmetaj dhe Milva Ekonomi. Për të vënë firmën mbi kërkesën e Kryeministrit, do të respektojë vetëm kushtetutën dhe ligjet. I pyetur mbi deklaratat e bëra nga Kryeministri për dekretimin vetëm të shkarkimit të ministrave Cani e Ahmetaj, por jo të dekretimit të dy emërimeve të reja, presidenti Nishani i kujton kreut qeverisë se është ai, që e ka shkelur disa herë kushtetutën.
Bujar Nishani, Presidenti i Republikës: “Një Kryeministër, i cili ka shkelur në mënyrë të përsëritur Kushtetutën e vendit, kjo e konfirmuar përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Nuk besoj se e njeh mirë Kushtetutën e vendit. Natyrisht që detyra e Presidentit është që të konsultohet me Kushtetutën, është që të kërkojë interpretimin e Kushtetutës dhe unë këtë do të bëj dhe po bëj, sepse unë i përkas atij grupi njerëzish, të cilët e konsiderojnë punë e shtetit, punë serioze. Gjithçka do të bëhet në bazë të ligjeve, në bazë të Kushtetutës se vendi dhe në bazë të seriozitetit, që meritojnë qytetarët shqiptarë dhe shteti shqiptar.”
Kryeministri Rama u shpreh një ditë më parë se nuk ishte e nevojshme që ai të bisedonte me Presidentin për dekretimin e ministrave, duke thënë se Presidenti bisedon me kushtetutën, kushtetuta me presidentin dhe pasi merren vesh bëhet dekretimi.
Parlamenti nuk i hodhi në votim dy dekretet e kreut të shtetit për shkarkimin nga detyra te Canit dhe Ahmetajt. Ata pritet të votohen njëkohesisht me dekretet për emërimet e Ahmetajt tek Financa dhe Ekonomit, tek Ekonomia.
Tv Klan