Nervoz, ironik dhe aspak i qetë! I tillë është paraqitur Xhani De Biazi në konferencën për shtyp në sallën e FSHF-së ku është shfaqur përpara mediave me rreth 15 minuta vonesë. Në një kohë kur Shqipëria ishte ndër të vetmet kombëtare pjesëmarrëse në “Francë 2016” që nuk e kishte bërë publike listën. Në dispozicion të trajnerit do të jenë 27 futbollistë, prej nga do të mësohet edhe 23-shja që do të ketë shansin, mundësinë dhe nderin që të mbajë fanellat e Shqipërisë debutuese në një kompeticion madhor.
Në fjalën e tij hyrëse në konferencë, trajneri përmend që lojtarët do t’u nënshtrohen analizave të plota për të kuptuar gjendjen shëndetësore të gjithsecilit, ndërkohë që bën me dije edhe mesazhin e dërguar për të 27 lojtarët: “Kriteri i zgjedhjes do të jetë gjendja fizike e momentit dhe disponibiliteti për të bërë një skuadër. Do të doja që të gjithë t’i ndanin zgjedhjet e mia pa bërë polemika. E di që kërkoj shumë, por realisht është shumë në lojë”, ka qenë mesazhi i timonierit të anijes kuqezi që për herë të parë do të duhet të përballojë ujërat e detit francez… por, më parë, secili prej tyre duhet të bindë De Biazin që të mos ia shënojë emrin në katër lojtarët që pas Austrisë, do të kthehen në atdhe…
“Jemi këtu përpara grumbullimit të Kombëtares për fazën përgatitore në Austri. Disa lojtarë do të vijnë nesër (sot), ndërsa të tjerë do të na bashkohen në datën 23. Përpara se të flas për të ardhmen, dua të ndaj fillimisht me ju disa momente të fillimit të historisë tonë. Më kujtohet që ishte pak përpara Krishtlindjeve të vitit 2011.
Janë ekzaktësisht 4 vite e gjysmë dhe në atë ditë bëra premtimin se do të punonim me pasion dhe sakrificë për të arritur atë që nuk na kishte ndodhur kurrë. E nisëm nga fillimi duke ndërtuar një grup të ri. Bëmë një pjesë të parë të eliminatoreve të Botërorit shumë të mira dhe në pjesën e dytë të eliminatoreve kuptova disa detaje dhe aspekte karakteriale, të cilat duhet të përmirësoheshin për të ndihmuar në rritjen e këtij grupi.
Dua të them se më kanë ndihmuar shumë për të përgatitur eliminatoret e Europianit, të cilat rezultuan të suksesshme. Lojtarët e mi e dinë se çfarë kanë bërë dhe duhet ta kujtojnë gjithmonë sakrificën dhe punën e palodhur për të arritur në Europian. Mendoj se askush nuk e ëndërronte dhe nuk e mendonte këtë arritje të madhe. Lojtarët duhet ta dinë se Europiani është diçka që ndodh për herë të parë dhe ndoshta i papërsëritshëm për të ardhmen.
Ky është një aspekt shumë i rëndë- sishëm për të kuptuar limitet tona. Tifozët që do të na ndjekin në Francë dhe ata që do të na shohin nga televizioni do të na japin më shumë forcë për të bërë maksimumin, por pa pasur presion. Ne do të shfrytëzojmë çdo mundësi të mundshme siç kemi bërë deri tani dhe do t’u hapim punë të gjithë kundërshtarëve. Pak ditë më parë u kam dërguar një mesazh të gjithë lojtarëve që do të grumbulloj për këtë fazë përgatitore:
“Mirëdita djem! Pas dhjetë ditësh fillojnë përgatitjet për ndeshjen ndaj Zvicrës. Ndoshta për të gjithë do të jetë një rast unik në jetë dhe duhet të luajmë për të nderuar fanellën. Ne do të nisemi për në Austri dhe jemi 27 lojtarë, por vetëm 23 do të udhëtojnë drejt Francës. Kriteri i zgjedhjes do të jetë gjendja fizike e momentit dhe disponibiliteti për të bërë një skuadër. Do të doja që të gjithë t’i ndanin zgjedhjet e mia pa bërë polemika. E di që kërkoj shumë, por realisht është shumë në lojë. Takohemi së shpejti!”, ka qenë hyrja që ka bërë De Biazi për mediat, përpara se të pranojë pyetjet e të pranishmëve.
Disave prej të cilave ua ka dhënë me ironi përgjigjen: Nuk ju jap shpjegime, apo edhe të tjera të tipit: “Objektivi ynë minimal është që të shkojnë në gjysmëfinale”, duke shtuar edhe pjesën: “Vëreni në titull të madh nëpër gazeta”. Pasi jep urdhër që të shpërndahet lista për gazetarët, De Biazi paraprin:
“Mos pyesni pse nuk është filani apo pse është fisteku, sepse kush është këtu, do të thotë që ka kontribuar në mënyrë të rëndësishme që të shkonim në ‘Francë 2016’. Kam vendosur në autonomi të plotë, pa u vënë nën presion”, shton trajneri që u lë vend pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.
Mungon Hamdi Salihi, i cili i ka shërbyer për 10 vjet Kombëtares edhe pse është golashënuesi i Superligës. Motivi i mosthirrjes?
Janë zgjedhje që i bën dikush dhe paguan pasojat nëse nuk merr frytet… Mendoj se në këtë moment ekipi ynë ka nevojë për futbollistë me karakteristika të tjera, pikë.
Cila është gjendja e Xhakës, për të cilin Bazel ka bërë me dije se i duhet të pushojë 4 javë?
E mirë. Po rikuperohet nga dëmtimi i 15 ditëve më parë. Është diçka që mund të rikuperojmë qetësisht këto kohë, pasi është prej atyre lojtarëve që ka zhvilluar shumë ndeshje këtë sezon dhe besoj që do të rikuperojë pa problem.
Këta janë futbollistët më të mirë që ne kemi?
Këta janë lojtarët që janë më të përshtatshëm në konceptin tim për të bërë skuadër. Për ne është shumë e rëndësishme diçka e tillë, por jo se janë më të mirët teknikisht… Nuk është se një trajner duhet të bëjë me çdo kusht ekipet me futbollistët që janë individualisht më të fortët. Ngandonjëherë, përputhja është më e mirë mes futbollistësh që përshtaten më mirë bashkë dhe që dinë të qëndrojnë më pranë njëri-tjetrit.
Rasti “Memushaj”. Ai do të qëndrojë me Peskarën në fazën “play off” të Serisë B dhe s’do të jetë në grumbullim…
Ka rregullore të UEFA-s dhe FIFA-s që na duhet t’i respektojmë. Ai do të jetë me ne deri në datën 26 maj dhe më pas do të shkojë të luajë me Peskarën. Pas ndeshjes, të shohim çfarë do të ndodhë, por do të kthehet me ne, duke qenë se kufiri është data 30 maj, pas së cilës s’mund të shkojnë askund. Edhe për Ergys Kaçen është e njëjta situatë, ka një ndeshje më 31 maj, por s’mund të shkojë me PAOK-un.
A jeni i kënaqur me formën fizike apo me sezonin që kanë kaluar futbollistët?
Me disa po, me disa jo. Disa mund të luanin më shumë, por nga aspekti fizik duhet të bëjmë kujdes. Jo më kot, tre muaj më parë, ne bëmë ekzaminimet e gjakut dhe tani do t’i ribëjmë për të kuptuar nëse ka mangësi dhe për të kuptuar nëse dikush është më i lodhur ose jo. Cili është objektivi minimal për në Francë dhe cila është ëndrra? Objektivi minimal është gjysmëfinalja. Shpresojmë që të mos ju zhgënjejmë. Vendoseni titull të madh në gazeta nesër (qesh).
Duke u ndalur te një deklaratë juaja kohë më parë, u shprehët se do të shkojnë në Francë ata që kanë kontribuar në eliminatore, por në këtë listë janë tre futbollistë që s’përputhen me këtë tezë: Rashica, Veseli dhe Rrahmani… Mund të na e shpjegoni?
Nuk mund t’jua shpjegoj, pasi është sekreti im.
Pra, jeni në kontradiktë me atë që keni thënë…
Jo, s’ka asnjë të tillë. Atëherë, Rrahmani, nëse e rishihni, është grumbulluar në pjesën e dytë të eliminatoreve. Rashica është diçka tjetër. E kam saktësuar edhe këtë më parë… Unë s’jam asnjëherë në kontradiktë, mbaj mend gjithçka që them. Kam thënë se nëse dikush do të binte në sy gjatë kampionatit, do të grumbullohej. Rashica ka bërë një sezon shumë të mirë dhe ndaj është në listën e merkatos së shumë ekipeve. Por, nuk është e thënë se vjen… 23 do të shkojnë në Francë. Mund edhe të vijë, nëse është më mirë se të tjerët. Zgjedhjet do të jenë ekskluzivisht mbi kondicionin fizik dhe mendor, por sidomos në funksion të idesë që të jemi skuadër: ‘Luaj apo nuk luaj, s’kam fytyrën e të vdekurit! Shkoj apo jo në fushë’. Ekipet që fitojnë s’kanë probleme mes tyre. Janë të lumtura dhe kërcejnë kur ato në fushë arrijnë rezultat. Nuk qëndrojnë me turi përse s’kanë luajtur. Ky është ndryshimi.
Ju thatë që s’do të merren ata që nga ana fizike s’do të jenë mirë. Çfarë ndodh nëse të pestë sulmuesit nuk janë mirë?
Nëse të gjithë s’janë në formë?! “Ciao” (I përgjigjet me një batutë).
E nisët konferencën në gjuhën italiane dhe, për të parën herë, harruat përkthimin… Mos ndoshta ishit përgatitur për të dhënë një konferencë si trajner i Italisë?
Batutë e bukur!
Do të jetë konferenca e fundit në Tiranë?
Nuk e di. Ju a do të jeni herët e tjera? Unë jam këtu deri në 2017-ën trajner i Shqipërisë. Vetëm nëse Bushi më shkarkon. Zgjedhjet janë të trajnerit, por në listën e Austrisë janë 10 mesfushorë dhe 9 mbrojtës.
Pra, këtu rrezikohet më shumë te zgjedhjet, në krahasim me sulmin?
Duhet të vendosim autobusin përpara portës… Ndaj, sa më shumë mesfushorë dhe mbrojtës. Sot për sot, këta janë ata nga të cilët do të dalin 23 futbollistët për në Francë, por s’di të them kush rrezikon më shumë apo më pak.
Vetëm dy futbollistë nga Superliga në këtë listë (portierët Hoxha dhe Shehi). Kjo do të thotë që ky kampionat nuk ka cilësi të mjaftueshme për Europian?
Zgjedhjet janë të lidhura me cilësitë e lojtarëve dhe jo vetëm ato në tërësi. Bëhen në bazë të mënyrës se si unë e mendoj futbollin dhe se si shoh personalitetin.
Çfarë prisni nga dy miqësoret ndaj Katarit dhe Ukrainës?
Pres të jenë interesante në aspektin taktik, për të kuptuar se si mund të luajmë përpara se të shkojmë në Francë. Kemi një provë të rëndësishme ndaj Ukrainës, që është ekip që ka shumë cilësi dhe na vë në vështirësi, por kjo është e mirë, sepse menjëherë duhet të kuptojmë se si do të jetë. Ne jemi të aftë sa herë e kemi frikë kundërshtarin, ndërsa kur mendojmë se jemi superiorë, rrezikojmë që të bëjmë paraqitje që s’më pëlqejnë.
Kjo është një eksperiencë unike për futbollistët, po për ju personalisht çfarë do të thotë?
Për të gjithë është unike dhe një vitrinë e rëndësishme. Kemi mundësinë për t’u dalluar në një kompeticion ku askush s’ka qenë. Do të provojmë të bëjmë më të mirën, duke shpalosur karakteristikat tona si vendosmëri, ndihmë për njëri-tjetrin në fushë dhe vuajtje e sakrifica. Për të qenë të drejtpërdrejtë, është hera e parë që futemi brenda televizionit, sepse zakonisht kemi qenë këtu, jashtë dhe me telekomandë në dorë, shihnim të tjerët që luanin. Sot, jemi ne brenda tij dhe jemi ne protagonistët. Ta kujtojmë këtë gjë dhe të tregojmë grintën që kemi vendosur gjithmonë në fushë, por edhe me qetësinë e duhur. Kemi bërë diçka të rëndësishme, por s’mjafton. S’mund të jemi turistë./Panoramasport