Gianni De Biasi po përgatitet për fazën e fundit para finaleve të Euro 2016. Ai pritet të publikojë listën e lojtarëve muajin e ardhshëm. Trajneri i Kombëtares foli për gazetën “Tuttosport”, që u bazua në mënyrën e lojës së skuadrës, që siguroi për herë të parë kualifikimin në një aktivitet madhor.
“Studiojmë shumë rivalët se ku i kanë pikat e dobëta, cilët janë lojtarët kryesorë dhe si mund t’i ndalim. Por ne punojmë edhe për veten tonë, për tu përmirësuar dhe marrim për shembull ndeshjen e fundit”, deklaroi De Biasi për gazetën e njohur italiane.
Ai sqaroi se arriti të bindë lojtarët se mund të arrihet çdo gjë nëse e beson. Gianni De Biasi konfirmon që do të lejojë disa ditë pushim futbollistë në përfundim të kampionateve për t’i gumbulluar më pas më 23 Maj në Austri.
Shqipëria do të zhvillojë edhe dy miqësore me Katarin dhe Ukrainën deri më 6 Qershor kur të zhvendoset në Perros Guirec, baza e Kombëtares gjatë finaleve të Europianit. /Tv Klan