Në një intervistë për prestigjozen spanjolle “AS”, trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka treguar gjithë historinë e tij me kombëtaren shqiptare duke u ndaluar veccanërisht në takimin e nesërm ndaj Spanjës në “Loro Boriçi”.
Ndeshja kundër Spanjës do të jetë një vazhdim i paraqitjes së mirë në Kampionatin Europian? Shpresojmë të kemi një rendiment të mirë, edhe pse e kemi të qartë që Kampionati Europian i përket së shkaurës tashmë. Duhet të jemi të përulur dhe të përqëndruar. Madje, edhe në këtë mënyrë, diferencat mes nesh dhe Spanjës janë si të shkosh nga Toka në Hënë, ose si një luftë mes gurit dhe Kallashnikovit.
A mund të surprizojë Shqipëria në këtë grup të vështirë?
Për ne është akoma më e vështirë të bëjmë histori tani që ia arritëm njëherë. Grupi është shumë i fortë. Ndeshjet më të rëndësishme për ne janë kundër Maqedonisë, Izraelit dhe Lihtenshtejnit. Kundër Spanjës dhe Italisë nuk kemi çfarë të humbim. Mendoj se 40% shanse të dalë e para ka Spanja, 40% Italia dhe 20%ëshi tjetër ndahet mes 4 ekipeve të tjera.
Ju pëlqen stili i lojës së Spanjës?
Më pëlqen, por preferoj të jem më shumë konkret sesa poetik. Nëqoftëse dikush ka cilësi, mund ta bëjë atë lojë. E rëndësishme është të marrësh maksimumin e mundësive që ke. Të gjithë lojtarët e Spanjës luajnë në ekipe të mëdha. Shikoni ku luajnë lojtarët e mi. Diego Kosta apo Morata? Nëqoftëse nuk luan asnjëri prej tyre do të ishte më mirë (qesh).
Jeni mik me Del Bosken. Çfarë mendimi keni për të?
Ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Të gjithë thonë se është e lehtë të fitosh me lojtarët që pati ai, por ai ia arriti me një përulësi të madhe. Në takimin mes trajnerëve në Paris na tha: “Kam fituar sepse kisha lojtarë të mirë.” Unë them se diçka e tillë ndihmon, por duhet t’u japësh atyre motivim për t’i bërë të fitojnë gjithnjë.
Është më e vështirë të fitosh trofe me Spanjën apo të kualifikohesh me Shqipërinë në Kampionatin Europian?
Janë dy suksese të ndryshme. Spanja pas 2008s arriti të fitojë edhe në 2010n dhe 2012n. Ne shkuam në Hënë me kualifikimin për në Kampionatin Europian dhe tani është më e vështirë për ta përsëritur në vitet në vazhdim. Disa ditë më parë u thashë lojtarëve: “Jeni ngjitur nga Kategoria e dytë në të Parën. Tani duhet të tregoni që jeni lojtarë të së Dytës që luftojnë në të Parën. Nëse mendojmë se jemi lojtarë të së Parës, jemi të vdekur.”
Ju shkuat në Shqipëri pas një periudhë të vështirë në Serinë A.
Po. Më kishin shkarkuar nga Udineze pas vetëm 3 muajsh. Akoma nuk e kam kuptuar. Më acaroi diçka e tillë. Nuk mund të vendosësh për fatet e një trajneri në vetëm 3 muaj. Isha shumë i rënë moralisht, nuk doja të trajnoja më në Itali.
Bëtë një hap prapa për të ringritur karrierën tuaj?
Po, dhe askush nuk do ta kishte menduar. Në historinë time si trajner gjithnjë kisha arritur të plotësoja objektivat që më kishin vendosur klubet. U ngjita nga Seria C në Serinë A me Modenën, më larguan 3 herë nga Torino dhe gjithnjë i arrita rezultatet që më kërkuan, përfshirë ngjitjen në Serinë A. Goditja e fundit, përfundimtare, ishte ajo e Udinezes. Mendonit se mund të bënit historinë që arritët me Shqipërinë? Më duhej një sfidë e vështirë sepse doja t’u tregoja njerëzve që isha një trajner i vlefshëm. Shqipëria ma dha mundësinë. Askush nuk e mendonte se do të shkonim në Kampionatin Europian, por duke punuar fort, duke vepruar me mendje të ftohtë dhe duke zgjedhur lojtarët e duhur, ia arritëm qëllimit.
Çfarë menduat në momentin e parë që shkelët në Shqipëri?
Shkova aty një ditë dhjetori, e mbaj mend mirë. Nuk kisha qënë kurrë më parë. Në fillim ishte e vështirë sepse kisha vendosur me vështirësi. Fola me presidentin dhe arriti të më bindte. Ishte shumë e vështirë, por me kalimin e kohës mund të them se mora një vendim të mirë.
Çfarë ju shtyu të thonit po?
Më dhanë një fletë të bardhë pa kushte, dhe ta dini që nuk ishte për para, sepse fitoja 4 herë më shumë më përpara, por të kesh një popull mbrapa që të motivon dhe shpreson të ndryshojë mentalitet me ty, më shtyu të pranoja. Federata ishte e vogël, vendi gjithashtu, po përjetonin shumë probleme. Ndeshja e parë që luajtëm ishte në një stadium të vjetër që e kishin ndërtuar italianët në 1935n dhe që thuajse nuk kishte ndryshuar fare që atëherë. Dhe ju desh që të ndërtonit një kombëtare thuajse nga zero. Nuk kisha njohuri për lojtarët që duhet të ndiqja. E filluam punën që nga themelet dhe udhëtuam shumë në kërkim të lojtarëve. Që nga Suedia deri në Azerbajxhan. Duhej të ndryshonim diçka, sepse me të njëjtët lojtarë të ekipeve të mëparshme do të kishim të njëjtat rezultate negative. Në ndeshjen e parë kundër Gjeorgjisë u shkuajta një letër futbollistëve: “Nëse ju më ndiqni mua, do të arrijmë aty ku nuk e mendoni.” Në fund ia arritëm, por ishte një udhëtim shumë i gjatë.
Si i gjetët futbollistët që mund të grumbullonit?
Në internet. Filluam nga sajti “Soccerassociation” duke parë në çdo lojtar të çdo lige nëse kishin shtetësi shqiptare ose nëse mbiemri i tyre ishte shqiptar. Sapo i gjenim, analizonim videot e tyre në “Youtube” për të parë nëse ishin të vlefshëm. Më pas, në fazën e fundit, shkonim të flisnim em ta dhe i pyesnim nëse dëshironin të luanin me ne. Dhe funksionoi. Po. Portierin Berisha shkuam ta kërkonin në një fshat peshkatarësh në Suedi. Luante në ligën e parë të Suedisë për Kalmarin. E bindëm dhe e bëmë të debutonte ndaj Iranit në një ndeshje të zhvilluar në Turqi. Priti çdo gjuajtje që i erdhi dhe bëri një super ndeshje. Pra keni qënë më shumë se një përzgjedhës. Duhet të punoja psikologjikisht më shumë se të trajnoja. U mundova t’u shpjegoja lojtarëve atë çfarë doja duke i parë në sy dhe duke i bërë të kuptonin. U përqëndrova te emocionet. Shumë donin të luanin për Shqipërinë sepse familja e tyre ishte nga atje, ose sepse gjyshërit e tyre kishin emigruar gjatë luftës. Në fund arritëm të bashkonim një grup djemsh që ishin të dhënë pas flamurit dhe që japin gjithnjë 100% për vendin e tyre.
Keni patur aq sukses sa ju dhanë dhe nënshtetësinë shqiptare…
Kryeministri Edi Rama është një njeri me vlera të mëdha. Ka jetuar në Gjermani dhe Francë dhe flet disa gjuhë. Për shkak të rezultateve tona të mira, arrita të krijoj një marrëdhënie direkte me të. Më dha pasaportën diplomatike, gjithashtu titullin “Honoris Causa”, dhe mbi të gjitha më krijoi iluzionin e të qënit një trajner shqiptar.
Si u përjetua pjesëmarrja historike e Shqipërisë në Kampionatin Europian?
Më e rëndësishmja ishte kur arritëm kualifikimin, duke u kthyer nga Armenia. Kishte njerëz në aeroport, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, nëpër të gjitha rrugët e Shqipërisë. Lojtarët nuk mund ta besonin çfarë kishin arritur. U tregua që ishim të gjithë bashkë dhe kishte një solidarizim të madh.
Mund të shërbejë futbolli për të ngritur një shtet me probleme si Shqipëria?
Sigurisht. Më e rëndësishme për mua ishte që u dhamë fëmijëve të vegjël mundësi dhe iu vërtetuam që nëqoftëse gjërat bëhën mirë, atëherë mund të arrihen rezultate të mira. Tani jemi idhuj për ta, njësoj si Kristiano Ronaldo apo Mesi. Sot të rinjtë përvec këtyre të fundit, flasin për Xhakën, Sadikun… Pjesëmarrja në Kampionatin Europian ka bërë të mundur rinovimin e dy stadiumeve. Janë stadiume moderne, si ato të Francës apo Spanjës. Të mëparshmit ishin katastrofë. Shqipëria ka përjetuar një diktaturë 45 vjet me Enver Hoxhën. A dallohet kjo gjë në mentalitetin e lojtarëve? Po, njësoj si në shumicën e njerëzve në atë vend. Kur më shohin në rrugë vendosin dorën në zemër dhe më falenderojnë. Ata vuajnë autoritetin e njerëzve me më shumë pushtet, qoftë ekonomik. Janë të bindur dhe të disiplinuar. Mua njerëzit më ofrojnë çdo gjë. Nuk mund të paguaj nëqoftëse shkoj në një restorant. Ishim një ditë në një të tillë dhe nga një tavolinë tjetër na u ofrua një shishe që kushtonte 120 euro. Të mendosh sa vlerë kanë aty 120 euro. Dhe kjo nuk vjen prej suksesit tonë, por sepse e kuptojnë që jemi duke i bërë gjërat me seriozitet dhe duke u përfshirë në gjendjen e vendit. Nuk punojmë në Shqipëri për të nxjerrë fundin e muajit dhe për të kursyer. Nëqoftëse do të ishte për atë gjë, do të kisha ikur në Kinë kur e pata mundësinë.
A ndiheni shqiptar, edhe pse jeni italian?
Në njëfarë mënyre po. Për mua është shumë e rëndësishme besnikëria. Më ndodh kur jam në një klub dhe gjithashtu tani me kombëtaren shqiptare. Jam shqiptar sepse jetoj në atë realitet, edhe pse në disa pjesë të Italisë nuk tingëllon mirë të shprehem kështu. Është një pjesë që bën ndryshimin mes dy vendeve dhe i takon formës së politikës. Por më përpara Italia ishte gjithashtu mafia, përveçse pica dhe spageti. Në fakt, në Amerikë gangsteri më i njohur është një italian. Mendoj se e gjithë bota është njësoj, dhe që kudo ka të këqinj dhe të mirë. Në Shqipëri shumica e njerëzve janë puntorë dhe jetojmë me pak. Është një popull me krenari. Më thonë gjithnjë që jam ambasadori i Shqipërisë në Itali. Lojtari juaj më i mirë, mbrojtësi i djathtë Elseid Hysaj i Napolit, shkoi në Itali me gomone bashkë me babain e tij… Dhe kjo gjë e ka bërë të jetë shumë kërkues. I ati tentoi të shkonte në Itali tre herë derisa ia arriti. Më pas çoi aty familjen e tij për të siguruar një jetë me më shumë mundësi, siç ndodhi me djalin e tij i cili u formua si futbollit në kategoritë inferiore të Empolit.
Si e kujtoni ngjarjen e dronit në ndeshjen kundër Serbisë?
Kur shkuam në Beograd ishin marrë masa të tilla sigurie njësoj si për zv. presidentin e SHBAve që kishte qënë për vizitë disa ditë më parë. Qarkullimi ishte bllokuar dhe çdo 150 metra kishte policë. Luanim në një stadium të vjetër ku nuk ishin përgatitur mirë dhe ku njerëzit mund të futeshin në fushë pa asnjë problem. Në fund mirë që dolëm shëndoshë, pasi mund të kishte shkuar më keq. Tani luan gjithashtu Kosova.
Si ju ndikon kjo?
Është e çuditshme. Shumica e tifozëve tanë nuk duan që Kosova dhe Shqipëria të luajnë të ndara. Për shumë prej tyre Kosova është Shqipëri. Tani ata kanë dy përfaqësuese, edhe pse slogani i tyre është “një komb, një kombëtare”. Lojtarët nga Kosova që luajnë për ne nuk duan të ndryshojnë ekip. Të shohim në të ardhmen.