Ja ku jemi përsëri. 11 vjet më vonë, kombëtarja shqiptare e gjen veten sërish në rrugën e saj drejt majave të futbollit, kundër asaj serbe.
Nuk do të ketë tifozë serbë në tribunat në Tiranë. Serbia u dënua me dy ndeshje pa tifozë nga UEFA për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen me Zvicrën, me 15 nëntor 2024, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Në ndeshjen e 14 tetorit 2014, kur kuqezinjtë drejtoheshin nga Gianni De Biasi, më shumë sesa thjesht konkurrencë sportive, dhuna e nacionalizmit çetnik u shfaq në fushë. Ndeshja u ndërpre pasi tifozët serbë pushtuan fushën dhe sherrit që pasoi.
Megjithatë, Shqipëria arriti rezultatin historik të avancimit në raundin tjetër në një grup që konsiderohej i pamundur. Tri pikët e asaj ndeshjeje, ishin vendimtare në arritjen historike të ekipit kuqezi, ëndrrës së shumë brezave lojtarësh dhe tifozësh, kualifikimin në një kampionat evropian futbolli (Euro 2016).
Tvklan.al i kërkoi një intervistë ish-trajnerit të Kombëtares, Gianni de Biasi, i cili në mes të përgatitjeve për ngjarjen më të rëndësishme të jetës së një babai, atë të dasmës së vajzës së tij, gjen kohë të na kthejë disa përgjigje. Sepse ai ka ikur nga Shqipëria, por Shqipëria nuk ka ikur nga ai.
Përjetimi i tij vjen i qartë. “Epo, ka kaluar shumë kohë… Mbaj mend që kishte tension kur mbërritëm në stadium me autobus. Pastaj fyerjet dhe kërcënimet dhe, së fundmi, pushtimi i fushës.”
Pyetjes si e mendon ai se do do të shkojë kjo lojë e re, De Biasi i përgjigjet ende me zërin e trajnerit të dikurshëm.
“Mendoj se do të jetë me siguri një ndeshje shumë emocionuese për të dyja palët. Megjithatë, ajo që ka më shumë rëndësi është se duhet të marrim një rezultat për të pasur një shans për të shkuar në Kupën e Botës”.
Dëshira është të dëgjojmë nga De Biasi, nëse vërtetë ka ndonjë këshillë për Sylvinho-n, por ai vazhdon me profesionalizëm në përgjigjet e tij.
“Sylvinho nuk ka nevojë për këshillën time, ai ka përvojën dhe aftësitë për të menaxhuar më së miri përgatitjet dhe ndeshjen”.
Në një tentativë të fundit i kërkojmë të na thotë nëse ka për zemër ndonjë nga lojtarët tanë, por sekretet e zemrës janë të tilla për të mbetur të panjohura.
“Sinqerisht, nuk kam ndonjë lojtar të preferuar. Kam disa lojtarë që më pëlqejnë pak më shumë se të tjerët, por natyrisht nuk e them publikisht”.
Për shkak të arritjes historike të kualifikimit të Shqipërisë për herë të parë në një kampionat evropian, tifozët kuqezi e “shqiptarizuan” teknikun italian, duke e pagëzuar me emrin Gani Abazi.
Emër të cilin, siç tregoi në disa intervista më vonë, e mban me shumë krenari. Tvklan.al/ Nga Gerta Zaimi