Pas betimit në Presidencë, Taulant Balla ka hyrë në Ministrinë e Brendshme, ku u prit nga ish-ministri Bledi Çuçi.
Balla ka takuar zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme, titullarët e institucioneve të varësisë dhe drejtues të tjerë.
Ish-ministri Bledi Çuçi dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla kanë mbajtur fjalën para zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme.
Çuçi shprehu falënderime për stafin e Ministrisë Brendshme dhe vuri në dukje se arritjet në disa prej prioriteteve të punës së institucionit, janë rezultat i kontributeve të të gjithëve.
Ai shprehu vlerësimet më të larta për Ministrin e ri Balla dhe njëherësh i uroi atij suksese në detyrën e re, duke i dorëzuar formalisht edhe një dosje “exit-memo” me arritjet, prioritetet dhe një “road-map” për objektivat e ardhshme.
Taulant Balla në fjalën e tij të parë si Ministër i Brendshëm, falënderoi Çuçin për punën e bërë dhe shprehu se në fillim të javës së ardhshme do të bëjë të njohura për stafin dhe publikun, prioritetet që ai ka vendosur në detyrën e sapo marrë./Opinion.al