Në SHBA, disa shtete nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të ashpërsojnë masat kundër përhapjes së COVID-19.
Arizona, Teksasi dhe Florida, së bashku raportuan rreth 25,000 raste të reja të të infektuarve me koronavirus. Alabama do të kërkojë nga banorët mbajtjen e maskave në fytyrë, pasi raportoi për 40 viktima në një ditë të vetme.
Në Teksas, guvernatori republikan, Greg Abbott, ka bërë thirrje për mbajtjen e maskave në mënyrë që të shmanget rikthimi i masave të izolimit.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, përmes një vendimi u ka kërkuar banorëve të 22 shteteve të vetizolohen për 14 ditë nëse vizitojnë Nju Jorkun. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i goditur nga pandemia e koronavirusit.
Deri më tani janë regjistruar 3,465,031 raste të të infektuarve dhe 136,940 vdekje, sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins.
Virusi e ka origjinën në Kinë. SHBA-ja e ka akuzuar Kinën se ka fshehur të dhënat për pacientët e infektuar kur janë paraqitur rastet e para, në dhjetor të vitit të kaluar.