Shqiptarët e Zvicrës po presin me padurim debutimin e Shqipërisë në Euro 2016. Ata po përgatiten duke blerë fanellat e Kombëtares. Sipas gazetës zvicerane “Schweiz am Sonntag” që pyeti disa dyqane sportive nuk ka shitje të madhe të artikujve që kanë lidhje me Europianin, por ato që po shiten më shumë janë bluzat dhe suvenirët e tjerë të përfaqësueses së Shqipërisë.
Vetë ata thonë që ka një kërkesë të lartë për fanellat e kuqezinjve, madje më shumë se ato të Zvicrës. Ndërkohë nga lojtarët zviceranë më shumë kërkohet fanella e Xherdan Shaqirit, një nga lojtarët me prejardhje shqiptare të skuadrës helvetike.
Një kërkesë e jashtëzakonshme vetëm pak ditë para nisjes së turneut ku Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë pikërisht me Zvicrën më 11 qershor në Lens. /TV KLAN