Gjashtë nga 16 skuadrat që do të luajnë në turin me eliminim direkt të Champions League janë zbuluar. Pas katër ndeshjeve të para në fazën e grupeve janë përcaktuar më tepër se 1/3 e ekipeve që do të vijojnë rrugën në eventin më të rëndësishëm në Europë.
Interi është e vetmja italiane që festoi, ashtu si Manchester City që përfaqëson denjësisht Anglinë. Spanja ka dy ekipe, ku Realit të Madridit i shtohet Real Sociedad. Edhe Gjermania është në pozita të mira, ku përkrah Bayern-it, festoi edhe Leipzig.
Bavarezët janë kualifikuar për të njëzetën herë pa ndërprerje nga faza e grupeve në Champions, duke regjistruar 17 fitore me radhë, teksa nuk e njohin humbjen në këtë pjesë të aktivitetit prej 38 ndeshjesh.
Në anën tjetër, Reali i Madridit ka vendosur një rekord absolut me 27 kualifikime me radhë në 1/8. Jo rastësisht klubi mbretëror është edhe skuadra më e mirë në historinë e Champions League.
Manchester City që kërkon të konfirmohet si ekipi më i mirë i momentit në Europë, u kualifikua pa probleme. Mbrojtja e kurorës nuk do të jetë një mision i lehtë, por të besuarit e Guardiolës, të udhëhequr nga golat e Haaland do të provojnë deri në fund.