Një ditë më parë u njoftua se mbërritja e Kombëtares do të bëhej në orën 17:00, por padurimi i kuqezinjve ka bërë që nisja dhe mbërritja në Shqipëri të bëhej dy orë më para sesa ishte parashikuar. Fakti që gjatë ditës së djeshme në Tiranë ka qenë një vapë e tmerrshme, ka bërë që tifozët në pritjen e Kombëtares të mos jenë të shumtë në sheshe e rrugët e kryeqytetit.
Ishte zgjedhur një autobus i hapur për udhëtimin e Kombëtares, ndonëse kushtet atmosferike ofronin një vapë sfilitëse. Nëse në fillim të udhëtimit të gjithë kërkonin të qëndronin në fillim të autobusit, më vonë vendi i preferuar ishte në fund të tij për shkak të një strehe që ofronte pak më tepër freski. Për këtë udhëtim, zëvendëskryeministri i Maqedonisë kishte mundësuar autobusin e hapur që ishte e një firme maqedonase udhëtimesh. Ndërkohë, Kombëtarja ka udhëtuar nën mbikëqyrjen e një helikopteri, “i stolisur” me flamurin shqiptar. Gjithashtu, një dron është përdorur për të filmuar gjithçka nga parakalimi i kuqezinjve.
Lenjani
Në raste të tilla parakalimesh me autobusë të hapur, ka gjithmonë shishe me shampanjë që futbollistët i hapin dhe spërkasin tifozët në shenjë triumfi. Kuqezinjtë nuk e kanë menduar këtë detaj dhe Ermir Lenjani e zëvendëson shampanjën me ujë. Disa nga shishet që i kishte pranë për të shuar etjen i ka përdorur për të shuar entuziazmin e tifozëve të pranishëm përpara Bashkisë së Tiranës.
Korrenti
Në Shqipëri, telat elektrikë i gjen rëndom të varura nëpër shtylla dhe në këtë rast që Kombëtarja ka udhëtuar me një autobus dykatësh, është kërkuar edhe vigjilenca e lojtarëve. Më shumë sesa në ekzekutimin e një goditjeje standarde për t’i shpëtuar pozicionit jashtë loje, këtë herë futbollistët është dashur t’i shpëtojnë kontaktit me telat elektrikë. Pranë Ministrisë së Jashtme, Odise Roshi dhe disa lojtarë të tjerë është dashur që të ulin kokën, pasi për pak mund të binin në kontakt me telat e korrentit.