Nga Blendi Fevziu –
Ishte brenda në shtëpi, por në kokë mbante kasketën e tij karakteristike dhe rreth qafës kishte hedhur një shall të verdhë. Kështu e mbaj mend Ibrahim Kodrën, kur e takova për herë të parë, në shtëpinë e tij në Piazza Lagosta, në Milano. Ishte Dhjetor 1991 dhe bashkë me Remzi Lanin e Visar Zhitin i trokitëm në derë. Piktori ishte i befasuar nga vëmendja e shqiptarëve. Edhe nga telefonatat. Nuk ishte mësuar me ta. Ishte tejet i këndshëm dhe bënte humor vazhdimisht.
Takimi i parë vijoi me disa të tjerë. E takova sërish në 1996, në një darkë madhështore ku kish ardhur për të marrë titullin: “Nderi i Kombit”. Më 1997 kur hapi ekspozitën e parë në Tiranë u takuam po ashtu. Në një darkë të gjatë tek “Hani i Gjelit” dhe në një intervistë që dha për këtë rast më rrëfeu shumë nga jeta e tij.
Tregoi se si babai i qe martuar sërish pas vdekjes së nënës, që ai thuajse nuk e mbante mend, dhe njerka kishte qenë larg të qenit një nënë e dytë.
Tregoi se si një ditë vendosi të ikë nga shtëpia, u largua drejt Tiranës dhe ja arriti të hynte në shkollën e mesme të vizatimit. Ishte fare i vogël por që atë ditë nuk u kthye kurrë në vendlindjen e tij, në Ishëm.
Një prej motrave të Zogut që kish ardhur për vizitë në shkollë dhe që ai i kish bërë një portret u bë fati i tij. I akorduan një bursë në Itali dhe u largua për atje.
Nuk pati kurrë më lidhje me Shqipërinë. As angazhim politik. Disa kushërinjve që i shkruanin vazhdimisht dhe i kujtonin se ishte farefis i tyre, ju shkroi një letër që mos e shqetësonin më. Nuk i takoi as kur erdhi në Shqipëri në vitin 1979. Nuk kishte mall për kënd. Funksionarëve të regjimit që donin ta çonin në vendlindje ju tha me delikatesë: Jo! Më mjafton të shoh Tiranën dhe Durrësin.
As në 1996 dhe as më 1997 nuk e vizitoi. Nuk kishte kuriozitet. Druaj se fëmijëria e tij kish qenë aq e vështirë sa nuk kishte asnjë mall të përballje me të. Së paku këtë mendova sepse ai nuk e shprehu kurrë direkt.
Besonte se i takonte artit më shumë se sa një kombi dhe e shprehte këtë. E donte Shqipërinë, por pak gjëra e lidhnin direkt me të. Edhe pse ishte padyshim artisti më i madh shqiptar në perëndim.
Fola sërish me të në telefon në vitin 2002 apo 2003. Dukej në formë, edhe pse nuk kujtonte me saktësi as kush isha dhe as çfarë kishim biseduar në Tiranë. Në fakt ishte një njeri i lumtur që lumturinë dinte ta gjente në çdo gjë. Pa asnjë lloj ekzaltimi.
Ata që i ndenjën tek koka përpara se të vdiste më rrëfyen se ditët e fundit filloi t’ju fliste mjekëve shqip. Gjuha e fëmijërisë ishte më e fortë se italishtja që përdori gjithë jetën. La amanet ta varrosnin në Shqipëri. Nuk di asnjë detaj më shumë. Nuk e di pse e varrosën në Ishëm, aty ku refuzoi me ngulm të shkonte në gjallje të tij. Nuk di pse e lanë në një kodër të vetmuar, ku lagej nga rrëketë e shiut ai njeri që gjithë jetën qëndroi mes njerëzve, pa e njohur dhe e kuptuar vetminë. Nuk kuptova asgjë nga këto, por shoh sot një debat të tërë për varrin e tij. Duan ta heqin nga Ishmi për ta vendosur në Tiranë. Banorët atje protestojnë. Si çdo gjë në Shqipëri. Në fakt është fare e thjeshtë: Dëgjoni amanetin e tij. Varroseni atje ka kërkuar. Lereni të prehet me të tjerë, atë njeri që vetmia e vriste më shumë se çdo gjë tjetër në jetë…
Blendi Fevziu