Presidentja hungareze, Katalin Novak, dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Judit Varga, së fundmi dhanë dorëheqje, pas zemërimit të madh të publikut rreth faljes presidenciale të një burri që ishte dënuar si i përfshirë në abuzimin seksual të fëmijëve.
Skandali tronditi Hungarinë dhe elitën udhëheqëse, dhe është aluzion për sfidat e reja për kryeministrin Viktor Orban dhe partinë e tij Fidesz, që kanë dominuar politike kombëtare për një dekadë e gjysmë.
Në këtë artikull mund të mësoni se çfarë nënkupton e gjithë kjo situatën për Orbanin dhe për kontrollin e shtetit që ka partia e tij.
Mediat në Hungari “godasin në fortë sesa kanë fuqi”
Novak nuk ishte presidentja e parë në Hungarinë postkomuniste – madje as e Fideszit – që ka dhënë dorëheqje. Pal Schmitt kishte dhënë dorëheqje nga kreu i shtetit për shkak të plagjiaturës së disertacionit në vitin 2012, më pak se dy vjet pasi shumica e partisë Fidesz e zgjodhi presidente. Shkelja që kishte bërë Schmitt fillimisht ishte zbuluar nga gazeta e përjavshme, Heti Vilaggazdasag, e njohur si HVG.
HVG i dha shtysë dorëheqjes së Katalin Novak, pasi në janar, hodhi dritë mbi përdorimin e zgjeruar nga ajo të faljes presidenciale. Ajo theu rekordin “30-vjeçar të faljeve”, pasi vetëm vitin e kaluar fali 40 të burgosur.
Por, ndikimi më i madh në publik ndodhi pasi ueb-faqja e pavarur 444.hu publikoi një artikull më 2 shkurt, që fliste për faljen e Endre K., vendim që ishte publikuar nga zyra e Novakut në prill. Kjo media citoi vendimin e një gjykate, që datonte në muajin shtator që e kishte gjetur fajtor Endre K, dhe kjo media tha se “një nga lexuesit tanë… na e solli në vëmendje këtë rast”.
Zyra e Novakut lëshoi një deklaratë në tentim për të kontrolluar dëmin, duke thënë “askush që është dënuar për pedofili nuk ka pranuar falje presidenciale dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë”. Pak më shumë se një javë më vonë, pas shpërthimit të protestave, Novak njoftoi për dorëheqjen e saj gjatë një adresimi televiziv, kur ajo kërkoi falje dhe pranoi “gabimin”, por shtoi se ajo asnjëherë me vetëdije nuk ka falur “askënd që kam menduar se ka abuzuar me fëmijët fizikisht apo psikologjikisht”.
Ndikimi dramatik i këtyre ngjarjeve sugjeron se edhe me mbështetje më të vogël institucionale, gazetaria hungareze po godet më fortë sesa ka fuqi reale.
Orban ka përdorur strukturat e pronësisë, vendosjen preferenciale të reklamave nga shteti dhe institucionet e tjera, si dhe ristrukturimin e Qeverisë dhe organizatave joqeveritare në Hungari për të shtypur median e pavarur, duke lënë shumë media të mëdha në duart e aleatëve të partisë Fidesz. Një legjislacion i miratuar së fundi për “mbrojtjen e sovranitetit” krijoi atë që Bashkimi Evropian dhe kritikët e tjerë thanë se mund të jetë një mjet tjetër që do të përdoret kundër kritikëve të Orbanit në media.
Por, një trupë e vogël dhe e përkushtuar e gazetarëve të pavarur kanë përdorur platformat digjitale, përfshirë edhe YouTube, e-mailet dhe faqet lokale të internetit për të kundërshtuar atë që e kanë konsideruar përpjekje nga lart-poshtë për të heshtur kritikat ndaj partisë Fidesz dhe zyrtarëve të tij shtetërorë dhe lokalë.
Fidesz po e ndien “tronditjen”
Qoftë duke kundërshtuar emigracionin apo duke mbrojtur legjislacionin kundër komunitetit LGBT, Viktor Organ e ka portretizuar veten si një mburojë kundër shkatërrimit të vlerave të familjes tradicionale. Natyra e këtij skandali – institucionet shtetërore që falin dhe ndihmojë në fshehjen e abuzimit seksual të fëmijëve – mund ta minojë publikisht atë mesazh.
Po ashtu mund të kërcënojë perceptimet ndaj disiplinës së partisë Fidesz, ndërsa mandati i Parlamentit aktual po i afrohet mesit.
Një burim i Fideszit brenda Qeverisë, i cili kërkoi që të mbetej anonim pasi nuk kishte leje që të diskutonte publikisht për situatën e brendshme, pranoi për Shërbimin Hungarez të Radios Evropa e Lirë se “kjo tani është shumë e pakëndshme për të gjithë”.
“Në parti ka heshtje dhe tronditje”, tha një burim tjetër.
Avokati veteran kushtetues hungarez, Tibor Sepsi, la të kuptohet se ka kosto të këtij skandali të faljeve presidenciale edhe nëse disa zyrtarë nuk kanë qenë në dijeni të detajeve kyçe të rastit. Ai tha se rënia e faljeve presidenciale që nga rënia e komunizmit sugjeron se nuk ka nevojë për amendamente kushtetuese, por për raste të tilla, “demokracitë që funksionojnë siç duhet”, mbështeten në hetimet e duhura nga autoritetet.
“Deri më tani, mendja e shëndoshë e ministrit të Drejtësisë dhe presidentit të Republikës ka penguar që të ndodhë diçka e tillë”, tha Sepsi për REL-in. “Kushtetuta lejon shumë gjëra, por ne nuk i bëjmë të gjitha ato”.
Orban u përfshi shpejt në kontrollin e dëmit
Pasi u bë e qartë madhësia e zemërimit publik dhe u lëshua alarmi në radhët e vetë partisë Fidesz, një ditë para dorëheqjes së presidentes, Orban u zotua se do të propozonte një amendament kushtetues që do të tkurrte kompetencat e faljes presidenciale.
Në rrjetet sociale, Orban e titulloi përpjekjen e tij si “nuk ka mëshirë ndaj pedofilisë”. Si pjesë e përpjekjeve për të kontrolluar dëmin, ai tha se “në rastet e krimeve të kryera ndaj fëmijëve, autorët nuk do të falen”.
Ai dukej se po priste fundin politik të Katalin Novak.
Por, veçse ka pasur një tradhti të dukshme. Ish-bashkëshorti i Vargas, Peter Magyar, një avokat që për një kohë të gjatë ka qenë lidhja midis partisë Fidesz dhe sektorit publik dhe privat, publikisht prishi raportet me regjimin e Orbanit. Ai këtë e bëri gjatë një interviste të dhënë pas dorëheqjeve të Novakut dhe Vargasit.
Në një intervistë të gjatë të dhënë më 11 shkurt për kanalin e pavarur në YouTube, Partizan, Magyar nuk e fajësoi drejtpërdrejtë Orbanin, por sugjeroi se kryeministri “është përgjegjës se kë mban afër vetes”. Ai u ankua për ndikimin e madh që ka në duar shefi për komunikim i Qeverisë, Antal Rogan, dhe për zyrtarë të tjerë të Fideszit. Ai tha se Rogan në vetvete nuk ishte problemi, por ai “mëshiron atë që është problemi”.
Ai e përshkroi veten si lojtar kyç në rrethin e Fideszit dhe se qëllimi i tij nuk ishte që të “kërcënohet dikush, por unë dua ndryshim dhe dua që ky shtet të ecë në drejtimin e duhur”.
Ikja e dy zërave të rrallë
Mungesa e grave në poste të larta qeveritare është një problem që daton qëmoti, edhe para se Orbani të merre drejtimin e Qeverisë. Por, me supershumicën që Fidesz ka pasur në çdo përbërje parlamentare që nga viti 2020, gratë me sa duket nuk kanë qenë prioritet për ta.
“Ka shumë gra të talentuara që do të ishin në gjendje [t’iu bënin ballë sulmeve të ashpra politike], por nuk jam i befasuar që ato nuk duan të marrin përsipër poste të tilla”, deklaroi Orban më 2015, kur prezantoi një listë të shkurtër të grave, që përfshinte edhe Novakun.Tani, skandali i faljes i ka dhënë një goditje të rëndë Novakut dhe një tjetër politikaneje, që ishte zyrtare me ndikim të madh në partinë në pushtet në Hungari.
Fidesz e ngriti Novakun në postin e zëvendëspresidentes së partisë, dy vjet pas deklaratës së Orbanit për “gra të talentuara”. Më 2020, Orban e emëroi atë në Ministrinë e sapoformuar për Politika të Familjes. Novak, nënë e tre fëmijëve, u bë gruaja e parë që mori postin e presidentit në Hungari me mbështetjen e shumicës në Parlament më 2022.
Kur mori mandatin e presidentes, që kryesisht është post ceremonial në shtetin me sistem parlamentar, ajo luajti një rol kyç në rikujtimin e vlerave tradicionale shoqërore, pasi një politikë e tillë mbështetej nga Fideszi dhe me përjashtime të rralla, ajo gjerësisht qëndroi larg sfidimit publik të politikave të brendshme dhe të jashtme të Orbanit.
Viktima e dytë e skandalit të faljes presidenciale është ish-ministrja e Drejtësisë, e cila pritej të udhëhiqte listën partiake të kandidatëve për zgjedhjet e qershorit në Parlamentin Evropian. Nënshkrimi i Judit Vargasit kërkohej në çdo falje presidenciale që është lëshuar sa ishte në Ministrinë e Drejtësisë. Ajo kishte dhënë dorëheqje nga udhëheqja e këtij institucioni në qershor të vitit 2023. Pas një jave heshtjeje, që pasoi artikullin e 444.hu, më 10 shkurt Varga njoftoi për dorëheqjen nga posti i deputetes dhe tërheqja nga gara në zgjedhjet evropiane. Ajo po ashtu tha se po pensionohej nga jeta publike.Kohë sfiduese për Orbanin
Rënia e presidentes po ndodh në një kohë sfiduese për Orbanin, që shkon përtej kostos së jetesës që ai dhe partia e tij, Fidesz, po përballen brenda vendit.
Ai ende po lufton me BE-në lidhur me mbështetjen e bllokut për Ukrainën kundër pushtimit gati dyvjeçar të nisur nga Rusia dhe po përballet me kritikat e Perëndimit lidhur me raportet e ngushta të Budapestit me Moskën.
Pasi Hungaria të marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së në korrik, mandat që kritikët perëndimorë të Orbanit druajnë se vetëm do të thellojë dallimet dhe do të vënë në pah se ai nuk është në hap me shumicën e bllokut dhe është shumë prapa sa i përket politikës së jashtme, por edhe për çështjet e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Më pas është edhe largimi i Vargasit nga udhëheqja e listës së kandidatëve të Fideszit për zgjedhjet në PE që mbahen në qershor. Anëtarët e Fideszit veçse kanë pothuajse tri vjet që janë larguar nga grupi më i madh i qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane, përpara se ky grupim të mund t’i përjashtonte. Shumica e anëtarëve veçse kishin shprehur “12 fusha të shqetësimit” duke dënuar “përpjekjet e qëllimshme dhe sistematike të Qeverisë hungareze” për të minuar vlerat evropiane./REL