Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

C’fare ndodhi pas vdekjes se Enver Hoxhes?

2016/04/13 at 3:00 AM
në Komente, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
C’fare ndodhi pas vdekjes se Enver Hoxhes?

Trupi i Hoxhës u dërgua atë mbrëmje në morg për t’i bërë autopsinë dhe prej aty në Selinë e Presidencës, një godinë e ndërtuar në fund të bulevardit Dëshmorët e Kombit në vitin 1960 si seli e Ambasadës Sovjetike, por e papërdorur asnjëherë si e tillë. Kufoma qe trukuar nga makijazhatorët e Kinostudios dhe qe veshur me kostumin e tij të preferuar: ngjyrë gri. Në të vërtetë, pas të 50-ave, Hoxha nuk veshi më kurrë kostume të errëta. Daljet e tij në publik e tregojnë me nuancat e bezhës ose gri të lehtë. Arkivoli qe mbuluar me lule, ndërsa në një kënd, në një tavolinë tek koka, mbi jastëkë të vegjël mëndafshi qenë vendosur dekoratat e tij. Duke nisur me më të lartën, Hero i Popullit!


Atë mëngjes, në ora 07.00, kryeministri Adil Çarçani informoi Byronë Politike. Fjalimi i tij, i shkëputur nga konteksti, ngjan qesharak:

“Me gjithë përpjekjet e mëdha dhe të pafundme të bëra nga Partia dhe Komiteti i saj Qendror, Shoku Enver Hoxha vdiq”. (3)

Anëtarët e byrosë politike, shumica ministra, filluan të qajnë me zë të lartë. Vetë Kryeministri fshinte lotët me një shami dhe mezi gjente fjalët. Po ato momente, Ministri i Brendshëm Hekuran Isai e vendosi gjithë makinerinë e Policisë dhe të Sigurimit, në gadishmëri të shkallës së parë. U përforcuan rojet nëpër burgje, kontrolli në qytete dhe u ndaluan përkohësisht gjithë personat që mund të krijonin turbullira. Vetëm në datën 11 Prill, Ministria e Brendshme ka lëshuar 45 urdhëra dhe ka mobilizuar më shumë se 8000 veta shtesë.

Në ora 10.00 Radio Tirana lexoi deklaratën e përbashkët të Byrosë Politike, KQ të PPSh dhe gjithë organeve të tjera të pushtetit. Me një zë solemn, shqiptarët u njoftuan se “udhëheqësi” i tyre i pavdekshëm nuk jetonte më. Formula e Komitetit Qëndror nuk e përmendetë fjalën vdekje. Thuhej, “zemra e udhëheqësit të madh të partisë dhe të popullit, pushoj së rrahuri”…  Komunistët nuk e pranonin vdekjen.

Në ora 13.00 Agjencia e lajmeve “Rojter” e shpërndau lajmin në të gjithë botën. Mbasdite, agjensitë botërore publikuan komentet e para. AFP e komentoi kështu vdekjen e tij në një analizë të Bertran Rozental:

“Enver Hoxha vdiq sot në moshën 76 vjeçare pas më shumë se 40 vitesh në pushtet,pa bërë lëshime në krye të një partie komuniste, ortodoksia ideologjike, ekonomike dhe sociale e së cilës e ka bërë Shqipërinë të vetmin shtet stalinist dhe ateist te botës.

Nën shembullin e udhëheqsve të tjerë historikë të komunizmit,Enver Hoxha,burrë me shtat të lartë ,gjithnjë buzagas dhe elegant në imazhet e televizionit shqiptar, kishte ngjallur rreth tij një kult të individit,të ngjashëm me atë të Stalinit, përvjetori i të cilit festohet ende në Tiranë.

Pasi i qëndroi aleat i udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito gjatë luftës së dytë botërore,Enver Hoxha mbajti qëndrim kundër tij dhe në favor të Stalinit në krizën e parë të botës komuniste. Në atë kohë ai u betua se do t’i lante hesapet “me klikën e Titos”, i cili kishte thënë për të: I varfri zotni Hoxha, nuk di gjë tjetër nga marksizmi veç se emrin”.

Udhëheqësi shqiptar do të përfitonte gjithashtu nga të gjithë trazirat ndërkombëtare për t’u çliruar nga të gjithë rivalët e tij të mundshëm në gjirin e partisë, duke i akuzuar për tradhëti ose komplot”.

Ndër të parët që komentuan qenë edhe sovjetikët. Në njoftimin e agjensisë së tyretë lajmeve shkruhej:

“Moskë, 11 prill. – Vdekja e Enver Hoxhës nuk mendohet se do të çojë në një normalizim të shpejtë të marrdhënieve sovjetiko shqiptare, të cilat qe prej një çerek shekulli janë reduktuar vetëm ne sharje, venë në dukje burimet diplomatike në Moskë. Shtypi sovjetik iu shmang çdo komenti në njoftimin lidhur me vdekjen e atij, i cili ka qenë shok “shok armësh” i ngushtë i Nikita Hrushovit, përpara se ta cilësonte “aventurier”, për të gjetur më vonë epitete jo më të mira për pasuesit e tij te Kremlinit.”

Ditët në vijim shtypi botëror e quajti atë “diktatorin më të çuditshëm të globit”, “njeriun që ndërtoi sistemin më të izoluar që ish njohur ndonjëherë”, por komentet qenë në përgjithësi të shkurtëra dhe pa peshë. Shqipëria ishte harruar edhe ajo bashkë me liderin e saj tashmë të vdekur.

Delegacione marksistësh dhe të majtësh u ftuan të merrnin pjesë në varrim. Po ashtu grupe militantësh kosovarë me banim në perëndim. Ndërkaq Tirana refuzoi ngushëllimet e Moskës dhe të Britanisë së Madhe, duke deklaruar se s’kishte të bënte me këto dy vende. SHBA heshti.

 

Vdekja e Hoxhës u konsiderua një fatkeqësi kombëtare në Shqipëri. Qeveria vendosi të shpallë 7 ditë zi kombëtare dhe gjatë atyre ditëve çdo veprimtari u pezullua. Për 3 ditë rresht radhët e gjata të atyre që qenë të detyruar të bënin homazhe përpara kufomës së tij dhe vajtimet histerike të kujtonin vdekjen e Mao Ce Dunit nëntë vjet më parë. Në TV dhe kudo flitej vetëm për këtë “fatkeqësi kombëtare”. Nxënësit e shkollave do të instruktoheshin të bënin vjersha dhe hartime për “shokun Enver” dhe shumica e tyre do të lidheshin në libra dore që do t’i dërgoheshin Nexhmije Hoxhës. Qendrat e punës do të ngrinin kënde me fotot e jetës së tij dhe me citate të tijat. Nga shumica e tyre ai do të shihte i qeshur. Shpatet e maleve do të qëndiseshin me parulla gjigante me emrin “ENVER”. Më befasuesja ishte se në burgje, komandat organizuan peticione dhe telegrame të burgosurish drejtuar Nexhmije Hoxhëx me të cilat i shprehnin keqardhjen. Të dënuarit u detyruan të firmosin me dhunë dhe ata pak që refuzuan deri në fund u izoluan për 30 ditë në qeli dhe 12 vetë u ridënuan me nga 2 – 5 vjet burg.

Më 14 prill, ditën e varrimit, Byroja Politike mori vendimin që më shumë se 34 qendra pune, kooperativa dhe ndërmarrje të merrnin emrin e tij. Enver Hoxha u quajt edhe Universiteti i Tiranës, edhe pse Hoxha nuk kishte arritur të merrte asnjë diplomë në jetën e tij. Po ashtu u vendos që tri monumente të mëdha të vendoseshin në qytete ku ai ushtroi aktivitet: një në Gjirokastër, në pikën më zotëruese; një në Korçë, në qendër të qytetit, ku i zuri vendin monumentit më të njohur në Shqipëri, Luftëtarit Kombëtar që qëndronte aty që prej vitit 1938; dhe i treti në Tiranë, në sheshin që mbante emrin “Skënderbej” si dhe përmendoren e tije kuestre. Hoxha u vendos në krah të Skënderbeut, me një shtatore gjigante që do të qëndronte aty më pak se 3 vjet.

U varros me një ceremoni zyrtare të organizuar mirë. Varri i tij u ndërtua në krah të monumentit të Nënës Shqipëri, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në momentin që mbi varrin e tij, ku sapo ishte mbuluar me dhé arkivoli, po vendosej pllaka prej mermeri të kuq me shënimin: “Enver Hoxha 1908 – 1985”, Ramiz Alia lëshoi vetëm një deklaratë.

“Këtu nuk duhet të ketë datë vdekje! Duhet të jetë vetëm data 16 tetor 1908. Për Enver Hoxhën ka vetëm datë lindjeje dhe kështu do të jetë gjithnjë, nuk ka datë vdekje. Enver Hoxha është i pavdekshëm”. (4)

Dhe Alia u përkul mbi varr për të puthur pllakën ku me shkronja bronzi qe shkruar emri i ish shefit komunist.

Bashkë me Hoxhën mori fund faktikisht edhe një epokë e tërë e Shqipërisë Komuniste. Të nesërmen, në kohën e ngushëllimeve te Nexhmije Hoxha, në kronikën e Televizionit Shqiptar shqiptarët e vëmendshëm dëgjuan një fjali tejmase befasuese për ta. Ndërsa Vito Kapo afrohej për ngushëllim, Nexhmije Hoxha u ngrit, e përlotur, e trishtuar dhe iu drejtua me fjalët:

“-Iku, moj Vito, iku te Hysniu dhe te shokët!”

Komunistët nuk besonin në Zot, as në jetën përtej vdekjes. Besonte vërtet në të Nexhmije Hoxha? Apo ishte e bindur që besonte ai që sapo kishte ikur për të kryer kalimin, ish-nxënësi i dikurshëm i Mejtepit së Gjirokastrës? Instinktivisht Nexhmije Hoxha kishte thënë diçka që, me shumë gjasë, e besonte atë moment: Enver Hoxha kishte vajtur te shokët! Por te cilët shokë? Kush e priste në botën e përtejme? Ç‘shpagim do t’i kërkonin për jetën që u mori? Për familjet që u shkatërroi? Për fëmijët që u vrau? Për gjëmën që shkaktoi? Sa prej tyre do ta bënin përgjegjës për ëndrrën e përbashkët që ua preu në mes? Për Shqipërinë që përfundoi ndryshe nga ajo që mendonin ata? Atje, në botën tjetër ishin të gjithë të barabartë. Ai s’mund t’i vriste më, s’mund t’i bënte tradhtarë, kriminelë, bukëshkalë. Atje kishin mundësinë të uleshin sërish për t’ia thënë të gjitha. Do t’i thoshin atë që nuk ia tha dot askush në gjallje të tij: se Enver Hoxha kishte vdekur shumë më parë, atë nëntor të largët të vitit 1944, kur shihej si njeriu i shpresës dhe i së ardhmes, ndërkohë që atë shpresë e dhunoi duke ndërtuar një diktaturë të lemerishme që kishte gllabëruar brenda saj jetën e së paku tre brezave që e jetuan atë.

Regjimi komunist u rrëzua 5 vjet më pas. Në Dhjetor të vitit 1990 shqiptarët u ngritën për ta filluar gjithçka nga e para, duke iu kthyer ëndrrës së vjetër europiane. Por edhe duke shpresuar të refuzonin çdo shenjë dhe kujtim të atij njeriu, të bindur se ai gjysmë shekulli që masakroi jetën e tyre ishte një ëndërr. Një ëndërr e keqe, që s’duhej të kthehet më. Një ëndërr me një bilanc tragjik tejmase tronditës: në 46 vitet e sundimit të tij 5037 burra dhe 450 gra u ekzekutuan; 16788 burra dhe 7367 gra u dënuan me burgime nga 3 deri në 35 vjet, dënime që shpeshherë shtoheshin përmes ridënimeve brenda në burg; 70 mijë vetë u internuan; 354 shtetas të huaj u pushkatuan, ndër ta 95 shqiptarë të Kosovës.

Më 20 shkurt 1991 mbi 100 mijë qytetarë të Tiranës rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. Monumenti i bronztë u tërhoq zvarrë deri në hyrje të qytetit “Studenti”, ku qenë ngujuar në një grevë urie studentët e Universitetit që kërkonin heqjen e emrit “Enver Hoxha” prej tij. Po atë mbrëmje u rrëzuan shtatoret dhe bustet e Hoxhës në Korçë dhe kudo në Shqipëri.

Që prej majit të vitit 1992 mbetjet e Enver Hoxhës dergjen në varrezat komunale të Tiranës, ku u vendosën pas largimit nga varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në këtë të fundit u vendosën eshtrat e shumë martirëve që regjimi i tij i pushkatoi, me ose pa gjyq, për një mëkat të vetëm: sepse donin një shoqëri të lirë. Ndërkaq eshtrat e pjesës më të madhe të miqve dhe të bashkëpunëtorëve të Hoxhës u gjetën me shumë vështirësi pas vitit 1992 dhe u varrosën nga familjarët e tyre. Shumë të tjerë, komunistë të ndëshkuar ose antikomunistë, nuk janë gjetur kurrë. Trualli i Shqipërisë i mban brenda tij – dëshmi të një kohe absurdi, dhimbje dhe tronditje kolektive.



Ju sugjerojmë

Moska vazhdon sulmet, para bisedimeve potenciale të Trumpit me Putinin dhe Zelenskyn
Bota

Moska vazhdon sulmet, para bisedimeve potenciale të Trumpit me Putinin dhe Zelenskyn

18 Maj, 2025 12:19 pm
Përplasje me gazetarët gjatë protestës së PD,policia çon në SPAK Palokën dhe Balliun
Aktualitet

Përplasje me gazetarët gjatë protestës së PD,policia çon në SPAK Palokën dhe Balliun

18 Maj, 2025 12:12 pm
Turistët “fiksohen” me rrugën Shëngjin-Velipojë
Aktualitet

Turistët “fiksohen” me rrugën Shëngjin-Velipojë

18 Maj, 2025 11:42 am
Humbën në Gjirin e Gramës gjatë mesnatës, policia shpëton 2 turistë kanadezë
Aktualitet

Humbën në Gjirin e Gramës gjatë mesnatës, policia shpëton 2 turistë kanadezë

18 Maj, 2025 11:30 am
Procedurat e azilit jashtë BE-së/ Merz do verifikojë modelin italian me Shqipërinë
Rajoni

Procedurat e azilit jashtë BE-së/ Merz do verifikojë modelin italian me Shqipërinë

18 Maj, 2025 11:22 am
Vrau një shqiptar në Greqi, Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim Dritan Hoxhën
Aktualitet

Vrau një shqiptar në Greqi, Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim Dritan Hoxhën

18 Maj, 2025 11:10 am
Përfundon numërimi i votave të diasporës në Kukës
Aktualitet

Përfundon numërimi i votave të diasporës në Kukës

18 Maj, 2025 10:51 am
Mbi 200 delegacione botërore në ceremoninë e kurorëzimit të Papa Leoni XIV
Bota

Mbi 200 delegacione botërore në ceremoninë e kurorëzimit të Papa Leoni XIV

18 Maj, 2025 10:33 am
Samiti i Komunitetit Politik/Rama publikon fotot: Mikpritja shqiptare për Evropën
Aktualitet

Samiti i Komunitetit Politik/Rama publikon fotot: Mikpritja shqiptare për Evropën

18 Maj, 2025 10:12 am
Të shtëna me armë zjarri në parkimin e një lokali në Thumanë
Aktualitet

SPAK i sekuestroi telefonin Elvis Rroshit/Policia: Iu gjetën listë zgjedhësish dhe…

18 Maj, 2025 9:54 am
Para
A do të lejohet seksi për kuqezinjtë gjatë Europianit?!

A do të lejohet seksi për kuqezinjtë gjatë Europianit?!

Era Rusi nuk di sa bëjnë 700+800!

Era Rusi nuk di sa bëjnë 700+800!

Hidhet shorti i Eurovizion, ja kur do të këndojë Eneda Tarifa

Hidhet shorti i Eurovizion, ja kur do të këndojë Eneda Tarifa

Please login to join discussion















TE FUNDIT

Moska vazhdon sulmet, para bisedimeve potenciale të Trumpit me Putinin dhe Zelenskyn

Moska vazhdon sulmet, para bisedimeve potenciale të Trumpit me Putinin dhe Zelenskyn
18 Maj, 2025

Moska e ka përshkallëzuar fushatën e saj të sulmeve vdekjeprurëse me dronë ndaj Ukrainës, me goditjet e fundit që sulmuan...

Lexo më shumë

Përplasje me gazetarët gjatë protestës së PD,policia çon në SPAK Palokën dhe Balliun

Përplasje me gazetarët gjatë protestës së PD,policia çon në SPAK Palokën dhe Balliun
18 Maj, 2025

Policia ka referuar në SPAK materialet për demokratët Edi Paloka dhe Klevis Balliu, pas incidentit me gazetarët të ndodhur gjatë...

Lexo më shumë

Turistët “fiksohen” me rrugën Shëngjin-Velipojë

Turistët “fiksohen” me rrugën Shëngjin-Velipojë
18 Maj, 2025

Rruga e re Shëngjin-Velipojë ka rritur një interes të jashtëzakonshëm si për banorët vendas, ashtu edhe për turistët. Siç raporton...

Lexo më shumë

Humbën në Gjirin e Gramës gjatë mesnatës, policia shpëton 2 turistë kanadezë

Humbën në Gjirin e Gramës gjatë mesnatës, policia shpëton 2 turistë kanadezë
18 Maj, 2025

Policia Kufitare në Dhërmi iu ka ardhur në ndihmë 2 turistëve kanadezë që kishin humbur rrugën në Karaburun. Mësohet se...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com