Shtyu bashkëshorten në tentativë vetëvrasje si pasojë e dhunës që ushtronte në familje, shpallet në kërkim i moshuari i dyshuar.
Ngjarja ka ndodhur në Cërrik, teksa 62-vjeçarja për fat të mirë ka mbijetuar, edhe pse mësohet se ka kapërdirë për të kryer flijimin, një ‘koktejlt’ medikamentesh. Policia e Elbasanit konfirmoi sot (22 gusht) shpalljen në kërkim të 70-vjeçarit me inicialet T.H.
Për 62-vjeçaren, informohet se gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik shpallën në kërkim shtetasin T. H., 70 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij 62 vjeçe, e cila dyshohet se për këtë shkak ka tentuar të vetëvritet, duke konsumuar medikamente. 62-vjeçarja është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, tha policia vendore.
Ndërkohë që paralelisht me hetimet, po punohet për kapjen e shtetasit T. H., dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.