Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish kthimin e ministres Belinda Balluku në detyrë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë fjalës në podkastin e tij ‘Flasim’ Rama tha se vendimi i mëparshëm për pezullimin e Ballukut, goditi organizimin demokratik të shtetit.
Po ashtu, Rama tregoi edhe një episod, ku sipas tij, punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan te Kryeministria dhe nuk pranonin ta dorëzonin pistoletën sipas rregullores.
Shefi i ekzekutivit shtoi se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për ta çuar drejtësinë drejt standardeve europiane.
“Nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, por do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, por kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.
Pra, nuk dua kurresesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndër-institucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha mes të tjerash Rama.

















