Partia Demokratike ka bërë publike listën e anëtarëve që do të jenë pjesë e 3 komisioneve hetimore. Ajo që u vu re ishte edhe propozimi i deputetit të PD, Oert Bylykbashit si anëtar për Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Bylykbashi është mbështetës dhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit dhe propozimi i tij si anëtarë i një Komisioni ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve të cilët e kanë pyetur Enkelejd Alibeajn nëse kjo lëvizje është një provokim.
Alibeaj tha se nuk është e tillë, por emrat e përzgjedhur janë në bazë të aftësisë dhe eksperiencës që kanë gjithsecili nga anëtarët e propozuar.
“Pjesëmarrja në komisione bazohet tek eksperianca, profesionalizimi dhe nuk ka kurrë fare lidhje. Janë emra që kanë në të shkuarën e tyre eksperiencën dhe aftësinë jo vetëm për të bërë debatin profesional dhe atë publik.
Nuk e bëj as për provokim as për gjë. Zoti Bylykbashi është për funksionet që ka pasur. Është një lloj eksperience, një lloj magazine e asaj që ka ndodhur në këto vite. Unë besoj që e ka përvojën dhe aftësinë, por edhe dëshirën për të kapërcyer këto pengesa.
Nuk është provokime. Emrat që janë vendosur aty janë ata që dinë dhe kanë çfarë të japim. Është hapësirë dhe mundësi për të kontribuuar për disa gjëra që janë të përbashkëta”,-tha Alibeaj.