Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, në një intervistë për Klan News ka akuzuar partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut për shkelje të marrëveshjes së arritur para zgjedhjeve, që kishte në thelb angazhimin për integrimin europian të vendit.
“Para zgjedhjeve, partitë shqiptare kishin nënshkruar një dokument, ku angazhoheshin se pas zgjedhjeve nuk do të bënin koalicion me cilëndo parti që nuk deklarohej qartë se do të vijonte rrugën e integrimit drejt Bashkimit Europian.
Për fat të keq, disa nga nënshkruesit e këtij dokumenti janë bërë pjesë e një qeverie që nuk ka asnjë kalendar për integrimin dhe që po saboton aktivisht rrugën europiane të vendit,” u shpreh Osmani.
Deklarata e tij vjen në një kohë të ndjeshme politike, pasi qeveria e re në Shkup është përballur me kritika për mungesë transparence dhe angazhimi në procesin e afrimit me BE-në.