Nga Ballsor Hoxha
Ajo që ka thënë shkrimtari dhe studiuesi Umberto Eco, se interneti ka barazuar gjenitë dhe budallenjtë, se çdo budalla ka mundësinë të debatojë me secilin gjeni, ka shkaktuar një valë të madhe debatesh. Gjë që edhe ndodhi mbrëmë në Opinion të Blendi Fevziut.
Mirëpo është një pyetje shumë me rëndësi brendapërbrenda kësaj thënies të Ecos: kush është sot gjeni? Nëse e krahasojmë Mark Zuckerberg, krijuesin e rrjetit social të cilin e shfrytëzojnë miliarda persona me vetë studiuesin dhe shkrimtarin Eco, të cilin nuk e lexojnë më shumë se dhjetëra mijëra persona, pyetja këtu se kush është gjeni është shumë me rëndësi. Është me rëndësi të posaçme sepse vetë Zuckerberg e nxit dhe e kultivon bisedën me çdo “budalla” të secilit vend të botës, ndërsa Eco i ikën debatit qoftë edhe me adhuruesit e tij më të flaktë.
Prandaj nocioni gjeni, bashkë me nocionin p.sh. ushqim i shijshëm, pastaj p.sh. me nocionin grua e bukur, jo vetëm që ka ndërruar në çdo kohë dhe në çdo periudhë të re të zhvillimit apo përvojës njerëzore, por ai vazhdon të ndryshojë me shpejtësi rapide edhe sot. Të gjitha pikturat, sidomos ato naive dhe para realiste, si ato të renesancës dhe të romantizmit, kanë një pikëpamje shumë të ndryshme mbi bukurinë e femrës në raport me atë të modernizmit. Qoftë në jetën tonë bashkëkohore ka një konflikt tepër të madh mbi trupin, dukjen dhe bukurinë e femrës: p.sh. shtëpitë më të mëdha dhe më të njohura për estetikën e dukjes së femrës janë në raport krejtësisht të kundërt me femrën më të njohur në botë për bukurinë e saj dhe sidomos gjigantësinë e të ndenjurave të saj, është fjala për Kim Kardashianin.
Edhe tek gjeniu kemi një ndryshim të madh sot. Për të shpjeguar këtë do të marr shembullin e profetit. Profetët historikë gjithnjë kanë qenë religjiozë, gjithnjë kanë qenë të motivuar nga vepra e zotit dhe kanë vepruar në emër të zotit, qoftë edhe Nostradamus, si njëlloj underground profeti, ka pasur motivimin e tij tek zoti. Sot, e shumta e njerëzimit pa ndonjë konfirmim për të qenë, që e merr këtë kohë si më të lavdishmen e zhvillimit, ka një mendim tjetër për profetin. Ka një model tjetër të profetit dhe ka një mision tjetër të profetit: janë dy persona kryesisht që merren për profetë të bashkëkohësisë sonë: Bill Gates dhe sidomos Steve Jobs. Atëherë kush është gjeni sot, apo për të qenë edhe më të saktë kush është budalla sot: ai që shfrytëzon mundësinë e internetit dhe i drejtohet Noam Chomskyt, apo Stephen Hawkingut, apo ata të mençur e gjeni që i ikin mundësive të internetit dhe komunikimit me njerëzimin.
Por Umberto Eco në shtjellimet e tij krejtësisht origjinale dhe syçelëta për njerëzimin, pak më herët ka pasur një punim mbi turpin në kohën e sotme. Në këtë punim ai shtjellonte turpin në dy periudhat relativisht shumë të afërta të njerëzimit, atë para dhe këtë pas internetit. Turpi në kohërat para internetit ka qenë një masë respekti, vetëpërmbajtjeje, ka qenë mekanizëm mbrojtës kulturor dhe social. Njerëzit që kanë pasur turp të sjellshëm kanë qenë njerëz të sojit të lartë dhe me virtyte të pathyeshme. Pikërisht sot, në vazhdën e shtjellimit të Ecos, turpi është bërë masë provokimi. Turpi është bërë damkë dhe sjellje argëtuese. Njerëzit janë në ankth për të gjetur veten në turp dhe për ta plasuar atë në internet.
Por kjo është vetëm sipërfaqësorja, ajo që në të vërtetë po ndodh është se njerëzimi ka gjetur mënyrë të re të jetës. Të gjithë të yshtur, në ankth dhe në obsesion për të përkitur në internet, në rrjete sociale dhe në atë që po njihet si “trending”, pra lajm në popullarizim e sipër, dehumanizojnë çdo ndjenjë turpi për një pëlqim. Njerëzit në të vërtetë janë të yshtur për të shfaqur veten në momentet më të paimagjinueshme vetëm për të parë veten në internet. Njerëzit e torturojnë veten në momente dhe situata çnjerëzore vetëm për të marrë pjesë në diçka “trending”.
Filmi fitues i Oscar të vitit të kaluar, filmi Birdman, trajtonte edhe këtë problem ndër të tjera. Një aktor pak para dëshpërimit vdekjeprurës të parëndësisë së teatrit, aktrimit dhe artit, vendos të inskenoj një shfaqje. Dhe pikërisht në të njëjtën shfaqje vendos të bëjë vetëvrasje. Por dështon. Dhe i tërë suksesi i kësaj shfaqjeje, i tërë aplaudimi i kësaj sakrifice vjen nga postimi i vetëvrasjes së dështuar të tij në internet. Qoftë edhe vetëvrasja e tij në skenë të shfaqjes, vetëvrasje që vetëm aksidentalisht dështon, nuk arrin të prek njerëzit derisa ajo nuk postohet në internet.
Është e vërtetë ajo që tha Albatros Rexhaj në debatin e mbrëmshëm tek Blendi Feziu: hapësira virtuale të jep mundësi të shprehësh veten me një liri shumë më të madhe se para fytyrës dhe fizikusit të tjetrit dhe të kontekstit. Është e vërtetë edhe ajo që grupi tjetër kërkonte një moral në tërë këtë. Por hapësira virtuale është një botë tërësisht e re dhe e paimagjinueshme për asnjë prej nesh. Është po aq e re sa edhe dita e sotme, është një botë në proces, një botë në zhvillim, një botë që as nuk ka ligje dhe as nuk mund të ketë ligje. Apo ku ligji i vetëm është shija dhe nevoja e konsumuesit.
Në vitet pesëdhjetë, Hajdeger ka qenë filozofi i parë gjerman që është marrë me hapësirën e ashtuquajtur cyberspace. Dhe gjeja e parë e thënë dhe ende e pakalueshme rreth saj, dhe po ashtu edhe rreth hapësirës virtuale, është se ajo dhe tërë shpikjet shifrore, digjitale, të internetit dhe teknologjisë informative, qoftë edhe inteligjenca artificiale nuk do të jenë diçka e re. Në të vërtetë ato do të jenë një përsëritje e dëshirave tona. Çdo hapësirë virtuale, shumë prej tyre që do të zbulohen në të ardhmen e afërt, çdo rrjet social dhe çdo raport njerëzor i shkëmbyer përmes tyre, do të jenë gjithherë përsëritje e vetëve tona dhe asgjë më shumë.
Në të vërtetë, për fund, ajo që thotë Hajdeger, me fjalë të tjera, është se kjo përsëritje, ky projektim, do të jetë vetëm një thellim dhe zgjatim i dëshirave tona që megjithatë do të mbesin të paplotësuara në realitet, në fizikë dhe pikërisht për shkak të kësaj do të mbeten vetëm dëshira të shtrira.
E ajo që do të mbetet, në botë dhe në ne, janë dëshirat e shumuara. Dhe ndoshta bisedat e budallenjve me gjenitë janë vetëm edhe një raport i ri njerëzor. Deri më sot i papërjetuar. Kushedi ndoshta pikërisht kjo, ky ballafaqim budallenjsh dhe gjenish do të krijojë një hapësirë të re virtuale. /shkruar për Lapsi.al/