Shqipëria është përfshirë në debatin britanik për të qëndruar ose jo në Bashkimin Europian dhe ai që e ka bërë këtë ka qenë ministri i Drejtësisë, Michael Gove.
Gove, i njohur për qëndrimin e tij të fortë pro shkëputjes nga Brukseli, e quan Bashkimin Europian një “perandori jodemokratike”. Gjatë një tubimi me mbështetës për daljen nga BE, ai përmendi gjeti aleatët e Britanisë pas daljes nga BE dhe ata janë në Ballkan.
“Pas daljes nga Bashkimi Europian, Britania e Madhe mund të bashkëpunojë me Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjen përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë, apo duke krijuar një zonë të lirë tregtare”, tha ai.
Kjo deklaratë e tij është pritur me kritika dhe skepticizëm, por edhe ironi e sarkazëm nga kundërshtarët e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian.
Gideon Rachman duke shkruar për “Financial Times” shkoi deri atje sa të quajë këtë deklaratë si “gafë të rrezikshme”.
“Opsioni i Shqipërisë është përdorur gjerësisht nga kampi pro qëndrimit në BE dhe për arsye që kuptohen. Së pari duket jotërheqës si propozim dhe së dyti duket një propozim absurd. Politikisht mund të interpretohet kështu: Britania del nga Bashkimi Europian dhe anëtarësohet në Ballkan”, thotë Rachman.
Analizën e tij, Rachman e mbyll duke u shprehur se kjo deklaratë ka ndezur së tepërmi debatin dhe pritet që për Shqipërinë të vazhdojë të flitet edhe më shumë në ditët e ardhshme./T.CH