Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian do të shkaktonte një mungesë të madhe balancash brenda Europës, por edhe në marrëdhëniet me SHBA-në dhe përkundër fuqive të mëdha si Rusia dhe Kina.
Nga Joseph Nye
Britania iu bashkua atij që u bë Bashkim Europian në vitin 1973. Këtë vit, më 23 qershor, do të mbajë në referendum nëse do të largohet apo jo. A duhet? Sondazhet aktuale tregojnë një ndarje të madhe të elektoratit. Kryeministri David Cameron pretendon se koncesionet që ka fituar nga partnerët e Britanisë në BE duhet të mjaftojnë për të pushuar shqetësimet e njohura rreth humbjes së sovranitetit në Bruksel dhe një fluksi të punëtorëve nga Europa Lindore. Por Partia Konservatore e Cameron dhe kabineti i tij janë thellësisht të ndarë, ndërsa kryetari populist i Londrës, Boris Johnson, është bashkuar me mbështetësit e daljes së Britanisë.
Çështja e kostove dhe përfitimeve të anëtarësisë së Britanisë në BE ka ndarë edhe shtypin britanik, gjithashtu. Shumë publikime të qarkullimit në masë mbështesin “Brexit”, ndërsa shtypi financiar mbështet vazhdimësinë e anëtarësimit në BE. The Economist, për shembull, thekson se rreth 45 për qind e eksporteve britanike shkojnë në vende të tjera të BE-së dhe se atmosfera për negocim të një marrëveshje tregtare post-Brexit do të ishte e ngrirë.
Për më tepër, BE-ja e ka bërë të qartë te jo-anëtarët, si Norvegjia dhe Zvicra se mund të kenë akses të plotë në tregun e përbashkët vetëm nëse pranojnë shumicën e rregullave, përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të kontribuojnë në buxhetin e BE-së. Me fjalë të tjera, një Britani jashtë Unionit do të fitonte pak në kuptimin e “sovranitetit”; përkundrazi do të humbiste votat dhe ndikimin në lidhje me pjesëmarrjen në tregun e përbashkët. Ndërkohë, qendrat financiare rivale si Parisi dhe Frankfurti do të kapin shansin të krijojnë rregullat që do t’i ndihmojnë ato të fitojnë bizneset e Londrës.
Një tjetër komplikacion është politik: Shtimi i nacionalizmit në Skoci dhe efektin e Brexit në mbijetesën e Mbretërisë së Bashkuar. Në vitin 2014, Skocia votoi në një referendum për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar; por nacionalistët fituan thuajse shumicën e ndenjësve të Skocisë në zgjedhjet e përgjithshme tetë muaj më pas. Me opinionin skocez më pro-europian se në Angli, shumë besojnë se Brexit do të çojë në një tjetër referendum për pavarësi. Cameron mund të kujtohet si kryeministri që ndihmoi në ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar (dhe me gjasa të Europës).
Në Shtetet e Bashkuara, administrata e presidentit Barack Obama ka theksuar qartazi se beson se Britania dhe Europa janë më të forta së bashku. Iluzionet e një marrëdhënieje speciale me SHBA-në, që zëvendëson influencën e Europës, janë të gabuara. Por britanikët do të peshojnë gjithashtu mbështetjen e Brexit dhe një dorë amerikane në këtë matje nuk do të ishte produktive.
Njëkohësisht, në fjalët e Douglas Alexander, ish-sekretari i huaj i Laburistëve, “që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Amerika ka qenë një operator i sistemit të rendit ndërkombëtar, ndërtuar mbi një mbështetje të fortë të Aleancës së Transatlantikut mbi dy shtylla, atë të NATO-s dhe BE-së. Nëse Britania largohet nga BE-ja, aleati më i afërt i Amerikës do të margjinalizohet… dhe i gjithë projekti europian do të jetë në rrezik të shthurjes, pikërisht atëherë kur kërcënime të reja ekonomike dhe të sigurisë përballen me Perëndimin”. Nuk është çudi që Kremlini i Vladimir Putin do të mirëpriste Brexitin dhe do të ndërhynte në politikat e brendshme të vendeve europiane në përpjekje për të dobësuar BE-në.
Pasojat gjeopolitike të Brexit mund të mos shfaqen menjëherë. BE-ja mund ta përballojë përkohësisht. Por do të ketë dëm në aspektin e misionit të Europës dhe në tërheqjen e fuqisë së butë. Sigurimi i stabilitetit financiar dhe menaxhimi i imigracionit do të jetë gjithashtu më i vështirë.
Përveç një rigjallërimi të separatizmit skocez, kthesa për nga brenda e Britanisë në vitet e fundit mund të përshpejtohet. Dhe në plan afatgjatë, pasojat e balancës globale të pushtetit dhe rendit liberal ndërkombëtar –në të cilin Britania ka një interes të fuqishëm kombëtar – do të ishin negative.
Kur vepron si një entitet, Europa është ekonomia më e madhe në botë dhe popullsia prej rreth 500 milionë konsiderohet më e madhe se 325 milionë e Amerikës. Ka tregun më të madh botëror, përfaqëson 17 për qind të tregtisë botërore dhe mbart barrën e thuajse gjysmës së ndihmës së huaj në botë. Ka 27 universitete të renditura në 100 më të mirat në botë dhe industritë kreative të saj kontribuojnë në 7 për qind të PBB. Të ardhurat amerikane për frymë janë më të larta, por në kuptimin e kapitalit njerëzor, teknologjisë dhe eksporteve, Europa është më tepër një e barabartë në aspektin ekonomik.
Për nga shpenzimet ushtarake, Europa është e dyta pas SHBA-së, ku llogaritet për 15 për qind të totalit botëror, krahasuar me 12 për qind të Kinës dhe 5 për qind të Rusisë. Sigurisht, ai numër është diçka që të çon në keqkuptim, duke qenë se Europa ka mungesë të integrimit ushtarak. Franca dhe Britania janë dy burimet kryesore të ekspeditës europiane të fuqisë.
Burimet europiane dhe të SHBA po forcohen të dyja. Investimi direkt në të dy udhëheqësit është më i lartë sesa në Azi dhe tregtia SHBA-Europë është më e balancuar se tregtia e SHBA-së me Azinë. Në nivel kulturor amerikanët dhe europianët ndajnë vlerat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut më shumë se kushdo tjetër në çdo rajon të botës.
Përballur me një rritje të Kinës, një Rusie në rënie por ende të rrezikshme dhe perspektivës së zgjatjes së trazirave në Lindjen e Mesme, bashkëpunimi i afërt transatlantik do të jetë thelbësor për të ruajtur një rend liberal ndërkombëtar në kuptimin afatgjatë. Pranimi i faktit se Brexiti, duke dobësuar si Europën dhe Britaninë, do të bënte më të mundshëm një sistem ndërkombëtar të çrregullt, duhet ta kthejë peshore në favor të ruajtjes së status quo-së.
*Profesor në Universitetin Harvard, kryetar i Këshillit të Agjendës Globale për të Ardhmen e Qeverisë, i Forumit Botëror të Ekonomisë dhe autor i librit të ardhshëm Is the American Century Over?/Marrë nga MAPO