Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Anterio Kaloshin.
Ai u arrestua dy ditë më parë gjatë operacionit të forcave RENEA për kapjen e autorëve të ngjarjes në Tushemisht ku u qëllua me breshëri kallashnikovi në drejtim të një hoteli.
Anterio Kaloshi dyshohet se është personi që ka qëlluar drejt godinës.
Ai është një emër i dëgjuar për drejtësinë. Ai ishte i kërkuar për vrasjen e dyfishtë në vitin 2017 në bashkëpunim me Orges Bilbilin.
Në ngjarjen e tre viteve më parë mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu.
Anterio Kaloshi njihet si mik i Orges Bilbilit, ky i fundit i arrestuar disa muaj më parë nga një patrullë e “Shqiponjave” në Tiranë teksa kontrollonin respektimin e masave anti-Covid.
Në të njejtën ngjarje, Kaloshi arriti t’i shpëtonte policisë ndërsa Bilbili u plagos. Policia gjeti në shtëpinë e marrë me qira nga e dashura e Anterio Kaloshit një pasaportë të këtij të fundit, 900 euro si edhe një armë që dyshohet se i përkiste atij. /Opinion.al