Është diskutuar ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë mbi defiçitin dhe borxhin publik të parashikuar në projektlixhin për buxhetin e vitit 2023.
Gjatë fjalës së saj, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi se vitin e ardhshëm borxhi publik do të zbresë në nivelin 67.5% të produktit të brendshëm bruto.
“Borxhi total publik pritet me 1 pikë ulje në krahasim me nivelin e pritshëm të këtij viti. Në përputhje me ligjin organik, ku sqarohet se niveli borxhit publik duhe të targohet më i ulët. Në vitin 2023 parashikohet Borxhi Publik në nivelin 67.5% të PBB, nga 68.8% që pritet këtë vit, apo 73.2% që rezulton në vitin 2021. Objektivi operacional, balancë primare jo negative. Borxhi publik aktualisht përbëhet nga 51.3% e borxh i brendshëm dhe 48.7% i jashtëm. Në vitin 2022 ka pësuar ulje nga fundi i 2021, i cili vlerësohej 49.2%. Ne synojmë uljen e mëtejshme të tij. Borxhi afatshkurtër, 15.6% të totalit, 84.4% borxhi afatgjatë. Jetëgjatësia në borxhin e brendshëm paraqet risk më të lartë të financimit. Objektiv, rritja e jetëgjatësisë në borxhin e brendshëm, aktualisht është 830 ditë, përmirësim nga 2021, kur ishte 739 ditë”, tha Ibrahimaj.
Po ashtu, ministrja tha se pritej të merrej një eurobond i ri me vlerë minimale deri në 500 milionë euro.
“Për vitin 2023 në skenarin bazë, nevoja për financim neto 55 mld lekë, 25 mld nga këto do mbulohen nga huamarrja e brendshme, pjesa tjetër 30 mld përmes financimit nga tregjet e huaja, Eurobondit dhe mbështetjeve buxhetore. Në vitin 2023, Eurobond i ri me vlerë minimale 500 mln euro. Ne gjithashtu planifikojmë të bëjmë menaxhim të detyrimeve, blerja mbrapsht e një eurobondi ekzistues 250 mln euro, që do të maturohet në vitin 2025″, u shpreh ministrja./Opinion.al