Ministrja Elisa Spiropali në seancën në Kuvend ka prezantuar marrëveshjen për Bordin e Paqes, duke theksuar se Bordi i Paqes është një mekanizëm për ndërtimin e paqes për një botë që ndryshon shumë shpejt.
Gjithashtu Spiropali tha se Shqipëria tregon se është gati për vendimmarrje dhe se partneriteti me SHBA është i rëndësishëm.
“Sot po ju ftoj të votoni për seriozitetin e Shqipërisë si aleate; që po, nën drejtimin e Edi Ramës është ngritur në lartësinë e paimagjinueshme si asnjëherë më parë”, tha ajo.
Më tej Spiropali sqaroi se përfshirja e Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk sjell angazhime të fshehta dhe se është një përgjegjësi.
“Për vite me radhë në këtë sallë është thënë se Shqipëria nuk pyetet se Shqipëria nuk dëgjohet. Por ftesa që kemi sot përpara tregon krejt të kundërtën. Është ndërtuar një besim me punë e ndershmëri. Sot Shqipëria ka marrëdhënie të besueshme jo vetëm me partnerët tanë në Europë e SHBA, por edhe në Lindjen e Mesme, ne Izrael e Botën Arabe. Sot Shqipëria ftohet si anëtare themeluese dhe çfarë mund të bëjë më shumë një kryeministër për vendin e tij se sa të bëjë Shqipërinë të shihet e dëgjohet aty ku dikur nuk ekzistonte. Kryeministri i Shqipërisë e ka pasur Kosovën gjithmonë me vete”, tha ajo.
















