Libri “Pushteti” i Blendi Fevziut është mjaft tërheqës dhe lexohet me endje të veçantë. Edhe pse lexuesit, për shkak të klisheve të lartpërmendura, mund t’i ndodhë, t’i paraprijë leximit, domethënë të marrë me mend çfarë do të ndodhë në faqet që vijnë. Ky avancim siç ka riskun se mund të duket sikur je duke rilexuar një libër të njohur, ka edhe efektin e tërheqjes se lexuesit në një lloj bashkautorësie, sikur ai po e rishkruan librin, duke e lexuar.
Nga Preç Zogaj
Prej shekujsh letërsia numëron me qindra subjekte për artin e frikshëm të pushtetit tiranik dhe fundin e tij, qoftë kur ushtrohet prej vetë tiranit apo për llogari të tij, siç është rasti i Vezirit të Madh në librin “Pushteti” të Blendi Fevziut. Mjaft prej këtyre subjekteve, pavarësisht nga vendi, koha dhe rrethanat e veçanta ku zhvillohen, kanë të përbashkët dy gjëra thelbësore, që i gjejmë edhe në librin e Fevziut. Së pari, faktin se në pushtet shkohet falë një morie arsyesh kundërthënëse ku përfshihen edhe rasti apo fati, por më tej pushteti mbahet prej mizorive dhe gatishmërisë për të shkelur deri mbi gjërat më të shenjta. Së dyti, kanë fundin e keq, thënë ndryshe të merituar, të personazheve realë apo fiktivë që mishërojnë despotizmin në pushtet. Është krijuar kështu për ketë temë një lloj klisheje që bashkon përvojat e përafërta jetësore me dashjen e autorëve. Nga kjo pikëpamje një rrëfim në ditët tona për pushtetin tiranik nuk është se premton, apriori, të veçanta të mëdha.
E megjithatë libri “Pushteti” i Blendi Fevziut është mjaft tërheqës dhe lexohet me endje të veçantë. Edhe pse lexuesit, për shkak të klisheve të lartpërmendura, mund t’i ndodhë, t’i paraprijë leximit, domethënë të marrë me mend çfarë do të ndodhë në faqet që vijnë. Ky avancim siç ka riskun se mund të duket sikur je duke rilexuar një libër të njohur, ka edhe efektin e tërheqjes se lexuesit në një lloj bashkautorësie, sikur ai po e rishkruan librin, duke e lexuar. Në të vërtetë, suksesi i librit të Fevziut tregon se lexuesit janë më shumë në këtë tërheqje se sa në ftohtësinë e gjësë së njohur. Bëhet fjalë për një sukses i cili, në përmasat që ka në tregun tonë të varfër të librit, nuk mund të jetë më produkt i faktorëve jashtëletrarë, siç janë inxhinieringu mediatik prej të cilit Fevziu përfiton avantazhe sigurisht apo inxhinieringu tematik me figura të njohura historike si Ahmet Zogu apo Enver Hoxha, por diçka më e qenësishme për lexuesin e gjerë. Është të shkruarit bukur dhe shumë bukur, është stili dhe estetika e lartë, këto kostume të tekstit që dalin nga vetë përmbajtja e lëndës, nga dhuntia për të qëmtuar e shtjelluar detaje dhe episode jetësore që rrokin në një shikim të vetëm natyrën e veçantë të individit dhe universalitetin e personazhit në një kontekst sa konkret në pikëpamje historike aq edhe të përgjithshëm në pikëpamje te fenomenit të ngjitjes dhe rrokullisjes së despotëve. Një tekst ka vështirësi të jetë i bukur dhe unë mendoj se nuk mund të jetë i bukur nëse nuk është i vërtetë, jo thjesht në kuptimin e jashtëm apo “material” të fjalës, por pikësëpari si e vërtetë artistike.
“Pushteti” është shikimi retrospektiv i jetës dhe viteve në pushtet, shoqëruar me përpjekjen për të kuptuar çfarë ka qenë e gjithë kjo, nga një prej kryeministrave të fundit shqiptarë të perandorisë osmane pasi ka marrë urdhrin e shkarkimit nga sulltani si tradhtar i Portës së Lartë. Ai sigurisht nuk e njeh tradhtinë e tij, që nuk e ka çuar as edhe njëherë nëpër mend, por njeh mekanizmin e verbër e të pakthyeshëm të këtij destini. Ngjitja dhe qëndrimi në pushtet kanë qenë një proces i ngadalshëm, i gjatë dhe selektiv. E kundërta, rrokullisjet, ndodhnin shumë shpejt, në pak ditë, në pak kohë, në pak orë. Ajo e vezirit nuk mund të jetë një përjashtim.
Duke e venë vezirin të kujtohet, Fevziu i “dikton” atij teknikën kinematografike të seleksionimit të episodeve më domethënëse që në lidhjen e tyre japim mjeshtërish trajektoren e një jete të gjatë ku ndërthuren ngjarje të karrierës e pushtetit me episode të jetës private dhe botës së shpirtit. Një nga evokimet më tërheqëse të librit, që po e sjell këtu edhe për të ilustruar vlerën që merr detaji në rrëfimin e Fevziut, është ai kur veziri kujton dashurinë dhe martesën e lumtur në rini me Behixhenë, vajzën e mahnitshme të Sinan Pashës, Ministrit të Jashtëm të Sulltanit. Është kjo martesë që do t’i hapë atij rrugën për të ngjitur shkallët e para të karrierës.
Por Sinan Pasha do të bjerë si pjesëmarrës në një grusht shteti kundër sulltanit. Për të afërmit e tij troket syrgjynosja. Veziri ynë e zgjidh si një arrivist tipik dilemën “me pushtetin apo me gruan e fëmijët”. Zgjedh pushtetin, ndahet përgjithmonë nga gruaja dhe fëmijët që nuk do t’i shohë më kurrë. Për këtë do të shpërblehet nga vetë sulltani. Referencat nga Moska bolshevike e Stalinit apo Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës janë të qarta. Për ketë temë dhe për shumë të tjera.
Në pikëpamje të pashpirtësisë apo prishjes së qenies, siç thotë De Mestre për pushtetin tiranik, koha rri në vend; Sulltani, Fyreri apo Sekretari i parë janë e njëjta gjë.
Ndarja me gruan i ka lënë vezirit tonë një kujtim: një letër që i ka shkruar nga malli dhe dëshpërimi pak kohë pasi ajo ka marrë rrugët e harrimit. “Tani që s’të kam më; tani që e di që mbase s’do të shoh më kurrë, zemra imë është bosh…”, i ka shkruar në fund të letrës. “Kur e mbaroi e lexoi disa herë”, vijon autori, “u duk sikur u lehtësua, por edhe u kaplua nga një frikë e pashpjegueshme. Kishte shkelur një rregull të Perandorisë. Kishte shkruajtur një letër dashurie ndaj një armikeje të sulltanit dhe i kish lejuar vetes të ishte i dobët në raport me të. Letrën nuk mund ta dërgonte askund e aq më pak ta ruante. Çdo lidhje me të, tani, nën përgjimin e sulltanit kishte mbaruar. Vendosi ta mësojë përmend dhe ta djegë. E lexoi me qindra herë gjithë natën dhe në mëngjes, ishte i gatshëm ta riprodhonte pa asnjë gabim. Tani, shumë vite më pas, nuk kish harruar asgjë. Së bashku me një sur fatsjellës të Kuranit, që i kish mësuar gjyshi në fëmijëri, letra e ish-gruas ishte një nga dy gjërat që ende mund të riprodhonte përmendsh në jetë…”.
Episode dhe detaje të tilla ka disa në librin “Pushteti”. Ato qëmtojnë ekzistencën e dritëhijeve të njerëzores edhe në shpirtrat e deformuar nga pushteti. Nga ana tjetër ato fuqizojnë mesazhin e denatyrimit që prodhon tundimi prej fuqisë. Veziri i madh me origjinë shqiptare, që ka jetuar në përmasën e pushtetit perandorak dhe nuk ka mundur t’u bashkohet patriotëve të tij për të krijuar shtetin e pavarur shqiptar, rikthehet nga udhëtimi i tij mendor pa ndonjë vrasje ndërgjegjeje, si dikush që e di se ngjarjet e ngritën dhe po ato do ta fundosin. Nuk sheh asnjë kuptim në vazhdimësinë e jetës pa pushtet, edhe nëse karroca sulltanore e vdekjes nuk do të ndalet para apartamentit të tij. Mendimet e tij ndalen përpara këtij terri të panjohur ku mpikset me ngut dhe pa pendim ideja e vetëvrasjes. Besnikëria e verbër e merr shpërblimin në kohë reale, me privilegjet dhe shijen e sundimit, por llogaritë do të bëhen dhe askush nuk mund t’u shpëtojë borxheve të veta, sikur duan të na thonë këto faqe. Por ndoshta edhe një gjë të hidhur, atë që thoshte me dëshpërim Orjana Falaci, historia nuk i mëson askujt asgjë, që letërsia do të vijojë ta nënvizojë derisa të fillojë të na mësojë diçka.
Burimi: Mapo