Jemi në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë, pasi qytetari Luigj Zefi tregon, se ka blerë një apartament nga ish INSIG-u në vitin 1999 me kredi, si punonjës aty. Deri në vitin 2001 Luigji tregon se i ka shlyer këstet te INSIG-u. Pas këtij viti pagesën e ka bërë te Agjencia e Trajtimit të Kredive, ku ka përfunduar shlyerjen deri në vitin 2022. Më pas ka kërkuar të pajiset me certifikatë pronësie, por nuk ka mundur.
“M’u dogj shtëpia dhe në vitin 1999 më është aprovuar nga drejtoria e përgjithshme INSIG për të marrë një kredi. Dhe në vitin 1999 është bërë blerja e këtij tip pallati nga ana e INSIG-ut dhe nga viti ’99 e deri në vitin 2001 unë kam shlyer detyrimin pranë INSIG-ut Tiranë sipas kësteve mujore të planifikuara që në lidhje të kontratës. Nga viti 2001 më vjen një shkresë nga Agjencia e Trajtimit të Kredive që unë nuk e njihja se kush është. Erdhi zyrtarisht që “detyrimet që ke ndaj INSIG duhet t’i shlyesh pranë institucionit tonë, Agjencia e Trajtimit të Kredive”. Nga ai moment të gjitha kësteve vjetore, sepse i kam derdhur një herë në vit, sipas kontratës deri më 22 Shkurt të vitit 2022. Nga kjo kohë kam kërkuar që të pajisem me certifikatë pronësie, por Lezha më thotë që është pronar Tirana INSIG, nuk je ti. Unë shkova pranë Agjencisë së Trajtimit të kredive ku unë kërkova që të pajisem me këtë certifikatë. Agjencia e Trajtimit të Kredive disa herë gati 3 vjet më pajis me dokumentacion mua dhe Agjencinë Shtetërore Kadastër që unë kam shlyer detyrimin dhe duhet të pajisem me certifikatë”, tha denoncuesi Luigj Zefi.
“Stop” iu drejtua ASHK-së, ku shpjegojnë se kjo pasuri figuron në emër të INSIG dhe nuk ka bazë ligjore për të bërë këtë kalim. Por nga ana tjetër zoti Zefi nuk ka asnjë detyrim të pashlyer në Agjencinë e Trajtimit të Kredive.
Për këtë ngërç emisioni “Stop” pyeti ekspertin e çështjeve noteriale Fatmir Laçej.
“Rezulton që qytetari të jetë një pronar faktik, por jo juridik. Këtu kemi një kontratë e cila nuk është lidhur pranë një zyre noteriale. Nuk është dërguar për regjistrim në zyrën e ZRPP-së kohën e atëhershme, paratë janë paguar. Agjencia e Trajtimit të Kredive këtë e konfirmon sipas akteve që ekzistojnë, pra i bie që të formalizohet ky tjetërsim prone dhe të lidhet kontrata e shitblerjes ku palë do të jetë INSIG-u bashkë me qytetarin që këtë pronë e gëzon prej 20 vitesh. Një lidhje e kontratës pranë një zyre noteriale do të bëjë atë që kjo pronë më pas të regjistrohet”, sqaroi për mikrofonin e emisionit “Stop” Fatmir Laçej.
Nga ana tjetër “Stop” mori kontakt me INSIG, tashmë të privatizuar dhe u premtua se do të zgjidhet rasti, për t’i ardhur në ndihmë qytetarit Luigj Zefi./tvklan.al