Biznesmeni Ilir Rrapajt humbi ndjenjat në seancën e sotme në GJKKO sapo ka dëgjuar rëndimin e pozitës së tij, ku së bashku me ish-ministrin Ilir Beqaj akuzohen edhe për grup të strukturuar kriminal.
Seanca gjyqësore do të shtyhet për në 9 janar për t’ju lënë kohë avokatëve që të japin qëndrimet e tyre mbi sugjerimin e gjykatës për rikualifikimin e veprës penale.
Gjatë seancës, teksa dëgjonte që t’i rëndohej akuza, ish-ministri Ilir Beqaj pyeti: Më ngritët një akuzë tjetër, po ku janë lekët që kam vjedhur?
Ish-ministri i Shëndetësisë ka kërkuar të specifikohet shuma e vjedhur “meqë ka akuzë për vjedhje”.
Ilir Beqaj, biznesmeni dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, akuzohen si krijues të grupit kriminal.
Ndërkohë që për gjashtë të tjerët, gjyqtarja tha se duhet të qëndrojnë në fuqi akuzat e ngritura nga SPAK dhe konkretisht shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumenteve.
Të akuzuarit e tjerë janë Naile Abazi, Genc Burazeri, Arben Gjata, Petref Mersini, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjani.