Në Gjykatën e Posaçme nisi gjykimi në themel ndaj dosjes “Metamorfoza”, ku i përfshirë është edhe sipërmarrësi Pëllumb Gjoka.
Sipas Klan News mësohet se gjykimi nisi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i shpalli të ligjshme për t’u përdorur si prova bisedat në aplikacionin e koduar “Sky ECC”.
I pranishëm në seancën e parë nuk ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili mbrohet nga avokatët Ylli Manjani dhe Gurali Brahimllari.
Këta të fundit kërkuan shtyrjen e seancës në afatin maksimal me qëllim që të pritet zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe avokati ish-punonjësit të policisë Ardit Hasanbegaj, i cili ka dalë i implikuar në veprimtari kriminale sipas komunikimeve në Sky ECC, kërkoi shtyrjen e seancës në mënyrë që të komunikonte me klientin për të diskutuar mbrojtjen e tij.
I pranishëm në seancë ishte dhe prokurori dhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.
Seanca e radhës u caktua më datë 21 Janar.