Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

BIRN/ Organizata terroriste fantazmë trazon gjyqësorin kosovar

2016/05/07 at 12:32 PM
në Aktualitet, Te Fundit
Kohë leximi: 9 min
A A
BIRN/ Organizata terroriste fantazmë trazon gjyqësorin kosovar

Përkundër dënimit në Prishtinë ndaj dy të pandehurve për pjesëmarrje në një grup të supozuar terrorist në Siri, të quajtur ‘Harausham’, asnjë institucion nuk mundi të japë prova për ekzistencën e tij. Një i pandehur tha se nuk ka ide se ku e gjeti prokuroria këtë organizatë.


Rasti i dy kosovarëve të dënuar për vepra që lidhen me terrorizmin, pasi që u deklaruan fajtorë më herët gjatë këtij viti, mund të mos ketë përfunduar ende

Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli janë dënuar secili me nga tre vjet e gjysmë burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar pasi që u shpallën fajtorë për ‘pjesëmarrje dhe organizim në grup terrorist’.

Të dy u arrestuan në shtator 2014 nën dyshimin që në nëntor 2013 – korrik 2014, i janë bashkuar një organizate të quajtur ‘Harausham’, e cila supozohet që është e lidhur me grupin militant Al Nusra në Siri.

Por, një hulumtim i BIRN zbuloi që ‘Harausham’, grupi në të cilin Livoreka dhe Behluli supozohet të ishin anëtarë, mund të ekzistojë vetëm në aktakuzën e prokurorisë dhe në dokumentet e ndërlidhura gjyqësore.

‘Harausham’ nuk shfaqet në kërkimet e detajuara të listave zyrtare të grupeve që luftojnë në Siri dhe Irak. Deklaratat e të dyshuarve të përmendura në dokumentet gjyqësore janë të vetmet dëshmi direkte për ekzistencën e organizatës.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, të cilën BIRN e ka siguruar, i referohet ‘Harausham’ dhe thotë që ky grup luftues është nën kontrollin e Al Nusra. Aktakuza në vazhdim shkruan se të pandehurit vendosën të largohen nga kjo organizatë dhe u kthyen në Kosovë pasi që ISIS kërkoi të merrte kontrollin e grupit.

Por, dokumenti i përpiluar nga Kryeprokurori Special Reshat Millaku nuk përmban asnjë provë të ekzistencës së ‘Harausham’, dhe as nuk jep detaje për lidhjen e saj të supozuar me Al Nusra.

Millaku nuk pranoi të intervistohej nga BIRN në lidhje me këtë rast, dhe Zyra e Prokurorisë Speciale gjithashtu dështoi të jepte ndonjë shpjegim për këtë aktakuzë.

Pyetjes së BIRN nëse mund të vërtetonin, ose nëse kanë ndonjë provë për ekzistencën e ‘Harausham’, Ekrem Lutfiu, zëdhënës nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme iu përgjigj duke thënë se prova ishte në deklaratat e të dyshuarve.

“Grupi, organizata ‘Harausham’, sipas deklaratave të të pandehurve, është grup që vepron në kuadër të organizatës terroriste Al Nusra”, tha Lutfiu.

Lutfiu nuk ofroi asnjë provë mbështetëse përpos asaj që ishte tashmë e shkruar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Grupi shfaqet në kërkime online, por vetëm nga referencat e aktakuzës së prokurorisë të cilat janë përfshirë në artikujt e BIRN për këtë gjykim në shqip dhe anglisht.

Nexhat Behluli tha se ai nuk ka asnjë njohuri për ekzistencën e ‘Harausham’

Nexhat Behluli, një nga të akuzuarit, i tha BIRN se ai nuk ka asnjë njohuri për ekzistencën e këtij grupi të supozuar luftues, dhe pretendon se deklaratat e tij janë manipuluar.

“Unë nuk jam në dijeni për organizatën ‘Harausham’; unë tjetër deklaratë kam dhënë në polici dhe tjetër ka qenë pastaj në gjykim”, tha Behluli.

Behluli pretendon që ka qenë anëtar i Ushtrisë së Lirë Siriane, dhe se pranimi i fajësisë është bërë nën presion të madh dhe se ishte mënyra e vetme që ai të lirohej nga paraburgimi.

BIRN nuk mundi të kontaktojë të dyshuarin tjetër, Arben Livoreka, i cili njëjtë si Behluli, thuhet se ka pranuar që ka qenë pjesë e ‘Harausham’, sipas dokumenteve nga gjykata.

Avokatët e të pandehurve nga gjykime të tjera terrorizmi në Kosovë kanë shprehur më parë shqetësime se klientët e tyre janë nën presion për të pranuar fajësinë në mënyrë që të mos mbahen në paraburgim gjatë gjykimit.

Zyrtarë të sigurisë nga Kosova dhe Shqipëria të kontaktuar nga BIRN, duke folur në kushte anonimati, gjithashtu thanë se para këtij rasti kurrë nuk kanë hasur në emrin ‘Harausham’ gjatë intervistave me luftëtarë të kthyer ose përmes shkëmbimeve të informacionit me agjenci të sigurisë nga vende tjera.

Skënder Perteshi, ekspert i sigurisë dhe ekstremizmit të dhunshëm, i tha BIRN se ai nuk ka dijeni për ekzistencën e organizatës.

“Në bazë të hulumtimeve të mia personale rreth temës së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, nuk kam hasur që është përmendur organizata ‘Harausham’”, tha Perteshi.

Ai tha se një tjetër organizatë që tingëllon ngjashëm – Ahrar al Sham – e ka hasur gjatë punës së tij.

Gjyqësori hutohet nga ‘kush është kush’ në Siri

Në sisteme demokratike, barra e provës – për të vërtetuar ekzistencën e një fakti apo rrethane inkriminuese – është detyrë e organit të akuzës dhe jo e të akuzuarit | Foto: Wikimedia Common

Edhe nëse prokuroria do e kishte shkruar gabim emrin e organizatës së supozuar terroriste, Ahrar al Sham megjithatë, mund të mos i përmbushë kriteret për një aktakuzë të suksesshme.

Sistemi gjyqësor i Kosovës i referohet rezolutave dhe listave të OKB-së për të përcaktuar nëse një organizatë ose grup është terrorist apo jo. OKB-ja nuk e konsideron Ahrar al Sham si një organizatë terroriste.

‘Harausham’ nuk shfaqet as në këto lista, prandaj Prokuroria Speciale e Kosovës përdori lidhjet e saj të supozuara me Al Nusra – që OKB e konsideron si një organizatë terroriste – për të krijuar një aktakuzë.

Por njohuria e prokurorisë për organizatat dhe grupet luftuese në Siri dhe Irak mund të jetë e kufizuar edhe kur bëhet fjalë për grupe më të njohura si ISIS, Al Kaeda dhe Al Nusra.

Në një tjetër aktakuzë për 32 të dyshuar që po gjykohen bashkërisht për akuza që lidhen me terrorizmin, të cilën BIRN ka siguruar, prokuroria nuk ishte në gjendje të bënte një dallim se ‘kush është kush’ kur bëhet fjalë për organizata terroriste.

“ISIS, i njohur gjithashtu si ISIL (Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit) ka lidhje të ngushta me Al Qaidan, e ndryshe njihet si Al Qaida në Irak, e cila është themeluar në vitin 2004, e cila bën pjesë në grupin e organizatave terroriste të sanksionuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, thotë aktakuza.

Aktakuza është shkruar në korrik 2015, ndërkohë që në shkurt 2014, lideri i Al Kaeda-s, Ayman al Zauahiri, mohoi çfarëdo lidhje me ISIS-in dhe e akuzoi atë se ishte shumë radikal, madje edhe sipas standardeve të Al Kaeda-s.

FAKT: Prokuroria në Kosovë i ngatërron organizatat e ndryshme terroriste me njëra-tjetrën.

Ndërkohë që Al Nusra është pjesë e Al Kaeda-s, kjo nuk vlen për ISIS, dhe dy grupet kanë pasur një sërë konfliktesh të përgjakshme dhe disa armëpushime të lëkundshme.

Por, më shumë se një vit më vonë, prokuroria e Kosovës nuk e di që këto janë dy organizata të ndryshme.

Më 29 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë 9 nga 32 të akuzuar që po gjykohen së bashku për vepra që lidhen me terrorizmin, duke i dënuar nga 6 muaj deri në 4 vjet e gjysmë burg. Kryesuesja e trupit gjykues, Afërdita Bytyqi, tha se pas shqyrtimit të rasteve, të akuzuarit ishin shpallur fajtorë.

Naser Avdyli ishte një ndër 32 të akuzuarit dhe u dënua me katër vjet e gjysmë burg për ‘pjesëmarrje dhe organizim’ në grupe terroriste. Avokati i tij, Hazër Susuri, tha se do ta apelonte vendimin.

“Rezoluta [e OKB-së] që ISIS, Al Nusra dhe grupe të tjera janë organizata terroriste nuk është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha ai për BIRN.

Në të njëjtën aktakuzë, ku disa nga të dyshuarit akuzohen se i janë bashkuar ISIS-it, prokuroria i referohet rezolutës së OKB-së 1822 për të ndërtuar bazën ligjore se ISIS është organizatë terroriste.

Rezoluta u votua në vitin 2008, para se ISIS të faktorizohej, dhe ajo vendos sanksione ndaj anëtarëve apo bashkëpunëtorëve të Al Kaedës, Osama bin Ladenit dhe Talebanëve.

ISIS dhe Al Nusra nuk figurojnë në gazetën zyrtare të Kosovës, ku çdo legjislacion i ri botohet para se të hyjë në fuqi.

BIRN, gjithashtu, e pyeti Prokurorinë Speciale për listën e organizatave terroriste që Kosova i njeh si të tilla, bashkë me referencat ligjore përkatëse.

“Ju informoj se Kombet e Bashkuara e kanë paraparë se cila organizatë është shpallur terroriste, por ka edhe shtete të caktuara që disa organizata i kanë shpallur si terroriste”, tha Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e prokurorisë.

Kozmaqi nuk e dërgoi kurrë listën e organizatave terroriste të cilave u referohet Prokuroria Speciale, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga BIRN.

Gjithashtu, BIRN e kërkoi të njëjtën listë dhe legjislacionin përkatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila tha se kërkesa duhej t’i drejtohej policisë.

“Këto çështje që ju keni potencuar, me kohë janë adresuar tek institucionet relevante. Prandaj lidhur me këtë ju duhet të adresoni kërkesën tuaj te institucionet kompetente për këto çështje”, thuhet në përgjigjen e zyrës së informacionit të policisë.

Ata nuk specifikuan se cilat ishin ‘institucionet relevante’, të cilave u referoheshin, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga BIRN.

Shpend Kursani, hulumtues i asociuar në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, dhe autor raportit për Shkaqet dhe Pasojat e Përfshirjes së Qytetarëve Kosovarë si Luftëtarë të Huaj në Siri dhe Irak, beson se institucioneve të Kosovës u mungojnë njohuritë e nevojshme për luftën në Siri dhe rolin që religjioni luan aty.

“Duhet të theksohet se arrestimi është bërë mbi dyshimin e pjesëmarrjes së këtyre personave në organizata terroriste në Siri pa pasur njohuri paraprake mbi ngjarjet në Siri dhe grupet luftuese”, tha Kursani.

Para shpalljes së dënimit për nëntë të akuzuarit, zyra e Gjykatëses Bytyqi, publikoi një orar të seancës në mars, ku emri i veprës ishte shkruar “ISIS-at”.

Ky është një term nënçmues i përdorur në zhargonin shqipfolës, jo dhe aq për të përshkruar luftëtarët e dyshuar të ISIS-it, por për t’iu referuar praktikantëve myslimanë që kanë pikëpamje konservatore.

Fajtorë që nga fillimi?

Militantë të panjohur në Siri | Foto nga materiale propagandistike të ISIS

Aktgjykimi në rastin e Arben Livorekës dhe Nexhat Behlulit, të cilin BIRN e ka siguruar, nuk jep prova apo të dhëna mbi ekzistencën e ‘Harausham’ apo lidhjet e pretenduara të saj me Al Nusra.

Ashtu si aktakuza e prokurorisë, aktgjykimi i referohet deklaratave të të akuzuarve, për të cilat të paktën një prej tyre pretendon se janë manipuluar.

Aktgjykimi gjithashtu nuk përmend asnjë provë të administruar mbi rastin, pavarësisht se diçka e tillë është parakusht për çdo aktgjykim në Kosovë.

Pasi kaluan disa muaj në paraburgim, Behluli dhe Livoreka pranuan fajësinë dhe rrjedhimisht u vendosën në masa të zbutura sigurie duke pritur për vendimin përfundimtar të gjyqësorit.

Kosova është me gjasa vendi me numrin më të lartë në Europë të aktakuzave që lidhen me terrorizmin.

“Po mendoja t’ju kontaktoja unë – ju nëse nuk do më kishit kontaktuar të parët”, Behluli i tha BIRN, duke theksuar se deklarata që u kishte dhënë autoriteteve ishte falsifikuar.

Hedije Ademi, avokatja e Behlulit e ka apeluar vendimin sepse mendon se dënimi prej tre vjet e gjysmë është tepër i gjatë duke marrë parasysh se Behluli e ka pranuar fajësinë. Ajo, po ashtu, tha se prokuroria nuk kishte dhënë informacionin e duhur mbi organizatën terroriste të pretenduar, të cilës dyshohet se i ishte bashkuar klienti i saj.

“Nëse vërtetohet që organizata ‘Harausham’ në të vërtetë nuk ekziston, kjo do të ishte shumë keq sepse do të thotë se janë dënuar njerëz ta pafajshëm. Gjithmonë nëse vërtetohet se nuk ekziston, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme të Kosovës”, tha Ademi

Kosova është me gjasa vendi me numrin më të lartë në Europë të aktakuzave që lidhen me terrorizmin, me afër 120 arrestime dhe gati 60 individë që po gjykohen për krime që përfshijnë: rekrutim për terrorizëm, lehtësim dhe mbështetje të veprave terroriste, organizim dhe pjesëmarrje në organizata terroriste dhe armëmbajtje pa leje.

Rreth 40 nga këta të dyshuar akuzohen se u janë bashkuar ISIS-it dhe Al Nusra në Siri dhe Irak gjatë viteve 2013 dhe 2014.

Katër kosovarë u burgosën në 2015 dhe në fillim të vitit 2016 për pjesëmarrje në grupe terroriste, përkatësisht ISIS dhe Al Nusra. Të gjithë ata kanë pranuar fajësinë dhe kanë shprehur pendesë.

Disa prej aktakuzave që BIRN ka siguruar janë vetëm disa paragrafë të gjata dhe nuk përmbajnë prova konkrete

Por disa prej aktakuzave që BIRN ka siguruar janë vetëm disa paragrafë të gjata dhe nuk përmbajnë prova të tjera përveç deklaratave të të dyshuarve, apo ndonjë fotografi të tyre duke mbajtur armë apo në disa raste, një foto të Bin Ladenit dhe një biletë aeroplani për Stamboll.

Eksperti i sigurisë Shpend Kursani tha se beson që institucionet e Kosovës i kanë kryer disa arrestime dhe kanë ngritur aktakuza në mënyrë të papërgjegjshme.

“Gjykimi i këtyre personave deri në një masë ka pasur prapavijë politike, andaj edhe është bërë arrestimi i një numri kaq të madh të personave, me shumë ngut dhe pak prova. Fjalën e kam te qëllimi i flirtimit të disave në elitën politike të Kosovës me disa shtete perëndimore që as vetë nuk kanë marrë këso masash siç i ka marrë Kosova”, tha Kursani.



Ju sugjerojmë

Këshilli Danez për Refugjatët largohet nga gjashtë vende, përfshirë Kosovën
Rajoni

Këshilli Danez për Refugjatët largohet nga gjashtë vende, përfshirë Kosovën

14 Maj, 2025 4:47 pm
“E dimë që jemi larg të qenit perfekt”/Rama për TVP Word: Evropa na ka hapur dyert
Aktualitet

“E dimë që jemi larg të qenit perfekt”/Rama për TVP Word: Evropa na ka hapur dyert

14 Maj, 2025 4:36 pm
Marta Kos uron Ramën për fitoren e zgjedhjeve:Momenti për zgjerimin në BE është real
Aktualitet

Marta Kos uron Ramën për fitoren e zgjedhjeve:Momenti për zgjerimin në BE është real

14 Maj, 2025 4:13 pm
Costa në Podgoricë: Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri më 2028
Rajoni

Costa në Podgoricë: Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri më 2028

14 Maj, 2025 3:59 pm
“Do t’ju mbështesim në çdo hap”, Xhaçka përgëzon Kosovën: E ardhmja në BE
Aktualitet

Apeli shfuqizon vendimin e Shkallës së Parë, nuk do të ketë hetim për Olta Xhaçkën

14 Maj, 2025 3:44 pm
Dumani në Hagë me Presidentin e EUROJUST: Bashkëpunim mes dy agjencive ligjzbatuese
Aktualitet

Dumani në Hagë me Presidentin e EUROJUST: Bashkëpunim mes dy agjencive ligjzbatuese

14 Maj, 2025 3:29 pm
Meta mbetet jashtë Parlamentit? Berisha: Atij i është bërë lufta më e egër
Aktualitet

Meta mbetet jashtë Parlamentit? Berisha: Atij i është bërë lufta më e egër

14 Maj, 2025 3:12 pm
Pezullohet numërimi në KZAZ 31, nxirren jashtë të gjithë vëzhguesit
Aktualitet

Pezullohet numërimi në KZAZ 31, nxirren jashtë të gjithë vëzhguesit

14 Maj, 2025 3:03 pm
Berisha: Nuk ka fitore nga PS në 2025! Zgjedhjet janë grabitur!
Aktualitet

Berisha: Nuk ka fitore nga PS në 2025! Zgjedhjet janë grabitur!

14 Maj, 2025 2:59 pm
“Vërshuan nga ajri, toka e deti për të votuar”/Berisha:Mirënjohje mijëra shqiptarëve
Kryesore

Urimet e liderëve për Ramën/ Berisha: Ndodhi dhe në 2001, kemi aq shumë fakte sa…

14 Maj, 2025 2:51 pm
Para
Tronditet Xhesika Ndoji/  E vërteta pamjeve me Ilir Metën…

Tronditet Xhesika Ndoji/ E vërteta pamjeve me Ilir Metën...

Ndërron jetë miku i ngushtë i Rita Orës

Ndërron jetë miku i ngushtë i Rita Orës

Skandai burgjeve/ Shqiptari postoi foto, policia italiane i gjen telefonin

Skandai burgjeve/ Shqiptari postoi foto, policia italiane i gjen telefonin

Please login to join discussion















TE FUNDIT

Këshilli Danez për Refugjatët largohet nga gjashtë vende, përfshirë Kosovën

Këshilli Danez për Refugjatët largohet nga gjashtë vende, përfshirë Kosovën
14 Maj, 2025

Këshilli Danez për Refugjatët (DRC) - një organizatë e madhe humanitare - njoftoi të mërkurën se do t’i mbyllë programet...

Lexo më shumë

“E dimë që jemi larg të qenit perfekt”/Rama për TVP Word: Evropa na ka hapur dyert

“E dimë që jemi larg të qenit perfekt”/Rama për TVP Word: Evropa na ka hapur dyert
14 Maj, 2025

Kryeministri Edi Rama ka folur për rrjetin ndërkombëtar të televizionit polak, TVP World lidhur me procesin e zgjedhjeve parlamentare të...

Lexo më shumë

Marta Kos uron Ramën për fitoren e zgjedhjeve:Momenti për zgjerimin në BE është real

Marta Kos uron Ramën për fitoren e zgjedhjeve:Momenti për zgjerimin në BE është real
14 Maj, 2025

Pas Macron, Von der Leyen dhe Orban, edhe komisionerja për zgjerimin e BE-së, Marta Kos ka uruar kryeministrin e Shqipërisë,...

Lexo më shumë

Costa në Podgoricë: Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri më 2028

Costa në Podgoricë: Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri më 2028
14 Maj, 2025

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë të mërkurën në Podgoricë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është investim strategjik...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com