Presidenti amerikan, Joe Biden, ka uruar Kosovën në 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Përmes letrës, Biden ka përmendur dialogun duke thënë se i mbështesin përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë.
Me këtë rast, ai ka konfimuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale.
Krahas kombeve në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi”, thuhet në letër.