Kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është shprehur se kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka lexuar drejt Kushtetutën sa i përket mandatit të Sali Berishës.
Bardhi shprehet se mos ndërprerja e mandatit të Berishës, i jep fund debatit dhe spekulimeve “te sponsorizuara nga segmente të mazhorances”.
Ndër të tjera ai shprehet se kanë kërkuar që të krijohet mundësia që Berisha të marrë pjesë në seancat plenare dhe aktivitet e tjera parlamentare.
“Sot Kryetarja e Kuvendit, lexoj drejt kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës Sali Berisha. Strukturat ligjore të Kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në Kuvend nuk është pa arsye. Kjo i jep fund debatit dhe spekulimeve te sponsorizuara nga segmente të mazhorancës. Ne kërkuam që zotit Berisha, në përputhje me Kushtetutën t’i krijohet mundësia që të ushtrojë të plotë mandatin e deputetit duke marrë pjesë me seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare”,-tha Bardhi.