Protestuesit u mblodhën poshtë banesës së Sali Berishës edhe këtë të premte. Ish-kryeministri e quajti këtë protestë si simbol shprese, guximi, inkurajim për çdo shqiptar.
“Misionarë të vërtetë të një beteje të re pa kthim, jetike dhe vendimtare për çlirimin e këtij vendi nga diktatura e aleancës me krimin, drogën dhe korrupsionin.”
Berisha tha se Shqipëria ra në një tjetër diktaturë 32 vite pasi u largua nga një dikataturë që bëri të vuajnë shqiptarët.
Edi Rama, sipas Sali Berishës përdori armën që kanë përdorur të gjithë diktatorët në të gjitha kohërat, frikësimin e qytetarëve.
Sipas Berishës, frika individuale është nëna e të gjitha këqijave.
“Të dashur qytetar e qytetare, demokrate e demokratë. Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për ju, që mblidheni çdo natë në këtë rrugicë, si simbol shprese, guximi si inkurajim për çdo shqiptar. Si misionar të vërtetë të një beteje të re, pa kthim, jetike dhe vendimtare për çlirimin e këtij vendit nga diktatura e aleancës me krimin, drogën dhe korrupsionin. Tek flas sot para jush, dëshiroj të ftoj çdo shqiptar, shqiptare kudo që ndodhet të shtrojë vetes një pyetje; si arritëm ne gjatë këtyre 10 viteve, si arritëm ne, kombi që vuajti sa as një komb tjetër në Europë nga diktatura më e egër e kohërave, të biem përsëri pas 32 vitesh në një diktaturë të re. Si arritëm ne që dorëzuam 10 vite më parë pushtetin me votën e shqiptarëve, që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Europës dhe morëm vendimin për statusin e kandidatit. Si arritëm ne që dolëm nga honet e varfërisë dhe mjerimit në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Si arritëm ne, njerëzit nga më të varfrit dhe të keqpaguarit në Rajon dhe Europë te jemi ndër më të mirëpaguarit në Europë. Si arritëm ne pas gjitha këtyre në 10 vite të zhytemi përsëri në tmerrin e një diktature të re. Ftoj shqiptarët të shtrojnë një pyetje edhe një herë; çfarë arme përdori Edi Rama për të zhytur këtë vend në shtypje, për të përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij. Ai përdori armën që kanë përdorur të gjithë diktatorët në të gjitha kohërat, ai përdori armën që etërit e tij e përdorën mbi shqiptarët, ai përdori armën e frikësimit të qytetarëve. Të dashur miq! Rikujtoni pak se si ky person, pasi erdhi në pushtet, kalonte nga studio në studio televizive me hekura në dorë, duke bërtitur se do të bëjë shtet. Mos harroni se si para syve tanë arrestoi në 1 vit, 38 mijë shqiptarë në tërësi për çështje civile, që nuk arrestohen kurrë në një vend të lirë. Tek Edi Rama, sapo mori pushtetin u zgjuan demonët e etërve të tij xhelatë. Tek Edi Rama, sapo mori pushtetin u zgjua famëziu Koleka, që ekzekutonte inteligjencën teknike shqiptare si armike të partisë, për pushtetin e tij dhe Enver Hoxhës. U zgjua Koleka i cili firmoste ekzekutimin e poetëve të pavdekshëm, me dorën e tij të zezë, Vilson Blloshmin dhe Genc Lekës. U zgjua xhelati tjetër i kollarisur dhe me kostum që të dukej xhentelman, xhelati Kristaq Rama që firmoste varjen publike në litar të kundërshtarit Havzi Nela. Të gjitha këto miqtë e mi, vetëm e vetëm për të eliminuar kundërshtarët dhe për të mbjellë frikë dhe terror tek shqiptarët. Frika individuale, ka dëshmua koha, është nëna e të gjitha të këqijave. Frika e zhvesh njeriun nga dinjiteti i tij. Frika e përul njeriun, e poshtëron atë. Frika shkatërron karakterin njerëzor dhe në fakt kjo ka qenë arma më e keqe, më e rrezikshme e të gjitha diktaturave. Këtë armë përdori Edi Rama kundër shqiptarëve në këto 10 vite. Demokrate e demokratë. Përballë jush është armiku i qenies shqiptare, është armiku i idealeve tuaja, armiku i vlerave që ju besoni. Mos harroni kurrë se për të ju asgjësuar ju, Sali Berisha dy vite më parë, u shpall non grata. Sepse Edi Rama donte një Shqipëri pa opozitë dhe Xhorxh Sorosi, McGonigal dhe mafia ndërkombëtare këtë kishte projektuar. Por ju u ngritët me guxim, kthjelltësi dhe të betuar se Shqipëria do të ketë opozitë. Përsëri ky bastard i xhelatëve hoxhistë vazhdoi përpjekjet për zhdukjen e opozitës. Mori vulën, siglën, hoqi emrin e kryetarit tuaj nga lista e votimit, dha zero financime, përdori bandat, qindra milionë para të buxhetit, vetëm e vetëm për të zhdukur opozitën. Ju jeni njerëz politik, ju kurrë nuk duhet të falni armikun për aktet që ka ndërmarrë ndaj jush. Do të ishte frikë nga ju, kapitullim para tij nëse ndokush legjitimon aktet antiopozitare, antidemokratike të njeriut që ka përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tij. Mos harroni kurrë se në ato kushte 600 mijë shqiptarë firmosën për të qenë opozitarë. Nderim për jetë atyre që me firmën e tyre mbajtën në këmbë opozitën. Miqtë e miq! Pasi dështoi në asgjësimin e opozitës me 14 maj, Edi Rama në ambicien e etërve të tij, për një Shqipëri pa opozitë vazhdoi me mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve tuaj në parlament. Por ata kur u ngritën me guxim, ja shndërruan parlamentin në hiç siç meritonte. Kur me mosbindjen civile i kallën tmerrin, ai kaloi në hapin tjetër. Vendosi në arrest shtëpie liderin e opozitës me shpresë se do të realizonte qëllimet e tij. Miqtë e mi! Edi Rama nuk është budalla, ai nuk arrestoi Sali Berishën në ‘arrest shtëpie’ për të frikësuar Sali Berishën, sepse ai e di mirë, e ka të qartë që nuk mund ta frikësojë kurrë. Por e bëri këtë për të frikësuar 600 mijë shqiptarët që votuan kundër tij me 14 maj. Ai e bëri këtë si përpjekjen e fundit për të tmerruar popullin opozitar. Por përsëri ai dështoi. Ky ballkon, kjo rrugicë ishte projektuar prej tij të ishte si ballkoni i terrorit, i frikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kurse ju me guximin tuaj e shndërruat këtë ballkon, këtë rrugicë në rrugicën e guximit, e trimërisë, të shpresës dhe të fitores. I treguat Edi Ramës se njëlloj si kundër 32 vite më parë nga sheshi i Qytetit Studenti nisi beteja për përmbysjen e regjimit monstruoz të etërve të tu. Nga kjo rrugicë po nis beteja për përmbysjen tënde dhe të bandës që të rrethon. Edi Rama në këtë betejë shqiptarët pa asnjë lloj mëdyshje do të bashkohen, do të ngrihen dhe do të fshijnë diktaturën tënde nga faqja e dheut. Aty ku sot janë sarajet e Surrelit do të ketë thjeshtë një muranë që do të thotë se; këtu dikur banonte kryehorri i kombit, kryetradhëtari i kombit, kryepisi i kombit, diktatori i kombit, Edi Rama që nuk është më. Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj me mirënjohje, ju ftoj të vazhdojmë betejën tonë për liri, betejën tonë për dinjitet, betejën tonë për të ardhmen. Rrofshi ju, Rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore”,-tha Berisha.