Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se kryeministri Rama ka kërcënuar prokurorinë dhe gjykatën me deklaratën e tij të fundit se do të vijojë betejën për zv.kryeministren Belinda Balluku.
Duke folur në një konferencë për shtyp ai tha se për këtë qëllim është thirrur edhe në Bruksel nga Presidenti I Këshillit të BE-së.
“Edi Rama kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt prokurorinë, gjykatën dhe u zotua se do mbrojë gjer në pikën e fundit të tij veten. Ai është thirrur sot në Bruksel. Sipas medieve, sepse nuk dihet, por mediat shkruajnë se ka takim, është thirrur direkt nga numri një i Këshillit të BE për t’i komunikuar qëndrimin e prerë të BE ndaj qëndrimeve të tij antikushtetuese, antidemokratike, ndaj zotimit të tij për të vazhduar grushtin e shtetit”, deklaroi Berisha.
Sipas tij “ju e shihni, ai shkon në Bruksel si avokat i turpshëm i saj dhe të gjitha i ka për veten e tij. Në Bruksel, dhe në mbarë kryeqytetet, është kuptuar se çfarë përfaqëson, çfarë kalbësire përfaqëson Edi Rama. Është kuptuar se autori i aferave të Ballukut është direkt Rama”.
Berisha bëri sërish thirrje për një pjesëmarrje të madhe në protestën e thirrur nesër nga opozita.
“Ndaj dhe nesër është dita e qytetarëve. Ndaj dhe ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës në kryengritjen paqësore, t’i faktojmë kombit, Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh që nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të pasurimit të tyre”.

















