Sali Berisha foli sërish pasditen e së dielës nga ballkoni i shtëpisë së tij, aty ku është duke qendruar që prej 30 dhjetorit në arrest shtëpie.
Ndër të tjera, ai iu drejtua mbështetësve të tij duke i thënë se Edi Rama mendoi të shpëtojë duke e vendosur atë në “arrest shtëpie”, por tashmë janë krijuar me qindra e mijëra Sali Berishë të tjerë.
“Edi Rama i tmerruar nga fjala, denoncimet e Sali Berishës, mendoi të shpëtojë prej tij duke e vendosur atë në arrest shtëpie. Por krijoi me dhjetëra, qindra, mijëra Sali Berishë të tjerë të cilët e shndërruan në ‘rrugën e Shpresës’, rrugën e gjyqit publik të regjimit. Rrugën e gjyqit publik të vjedhjeve të Edi Ramës dhe suitës së tij. Rrugën e gjyqit publik të lidhjeve të tij me krimin. Rrugën e gjyqit publik vjedhjeve të familjarëve të tij, të pasurimit të familjes së tij, të 16-fishimit të të ardhurave duke shfrytëzuar karrigen e tij.
Të shpërdorimit dhe vjedhjes me qindra milionë eurove me djegësat, me sterilizatorët. Të denoncimit të aferës prej miliarda euro të portit të Durrësit, të denoncimit dhe gjyqit publik për Edi Ramën, skandalin e tij ndërkombëtar me McGonigal. Edi Rama të mbron sot Altin Dumani, por bashkë me Dumanin do të të japim ndëshkimin më të rëndë që meriton”, tha Berisha.