Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat në selinë blu ka akuzuar ambasadoren amerikane Yuri Kim se ka mbështetur ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha edhe pse ishte i akuzuar për financime ruse.
Kryedemokrati i ka drejtuar një pyetje ambasadores amerikane, duke i kërkuar t’i shpjegojë shqiptarëve në emër të kujt mbështeti dhe pas akuzave të qeverisë amerikane, Lulzim Bashën.
Më tej, Berisha hedh akuza, duke thënë se Kim ka mbështetur Bashën si një përpjekje e saj që njëra kompani ruse të mos fitojë licencën, por të fitojë kompania tjetër.
“Kam një pyetje për zonjën Yuri Kim: A mund t’u shpjegosh shqiptarëve, në emër të kujt bëre gjithçka për të mbështetur, pas akuzave të qarta të qeverisë tënde, zyrtare, për financime ruse të Lulzim Bashës, bëre gjithçka për të mbështetur qëndrimin e tij në krye të PD.
A ka lidhje kjo përpjekje e juaj me përpjekjen e McGonigal, që njëra kompani ruse të mos fitojë licencën, por të fitojë kompania tjetër, po e Gazpromit.
Çfarë interesash mbronte zonja me mbështetjen e Lulzim Bashës për kryetar të PD?
Unë e ftoj Inspektorin e Përgjithshëm të hetojë qëndrimet e saj, të cilat nuk besoj kurrë se ligjet dhe se qeveria amerikane, mund të mbështeste siç mbështeti kjo me fanatizëm dhe verbëri për kryetar opozite një njeri, që raportet e inteligjencës e akuzonin për financim rus.
A duhet t’u kërkojë ajo ndjesë shqiptarëve?
Çfarë i konsideron shqiptarët zonja? Është mirë të flasë, ka stërfolur në të shkallë saqë krenohej se shpallej guvernatore, kurse tani hesht si fija e barit. E vërteta është se me heshtjen e saj flet më shumë se çdo deklaratë”, tha Berisha./Opinion.al