Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në Kamëz, deklaroi se “një armatë e tërë e drejtorëve, e punonjësve të administratës, ndërmarrjeve publike, u shndërruan në patronazhistë dhe në polici sekrete për të shkelmuar vullnetin” e shqiptarëve.
“Po marrim vetëm zgjedhjet e fundit. Në Shqipëri, njëlloj si në Tunizi, Edi Rama arrestoi në vitin elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe vuri në proces penal atë të tretën. Në vitin elektoral shkelmoi çdo nen të kodit zgjedhor, por dhe çdo parim ndërkombëtar të zgjedhjeve të drejta. Në vitin elektoral shndërroi shërbëtorët e qytetarëve që duhet të jenë punonjës të administratës, në armiq të egër të votës së tyre, në polici politike sekrete. Cilitdo i kujtohen grupet e patronazhistëve. Për hir të së vërtetës, duhet ta pranojmë, ato kishin një bashkëpunëtor sigurimi, kishin disa veteranë, pensionistë nga fronti demokratik dhe si hije të zeza kalonin apartament pas apartament dhe gjenin të dyshuarin dhe dilnin, i bënin gjyq në oborr të pallatit se ky nuk do na votojë. Ky votën e ka për armikun. Por sot, sot një armatë e tërë e drejtorëve, e punonjësve të administratës, ndërmarrjeve publike, u shndërruan në patronazhistë dhe në polici sekrete për të shkelmuar vullnetin tuaj. Në kundërshtim me çdo parim, u dhanë 100 euro për pensionistët në kulmin e fushatës elektorale. Në kundërshtim me çdo parim, me paratë tuaja u organizuan 4530 aktivitete në fushatë elektorale para saj. Vetëm, vetëm për të ndikuar votën e qytetarëve. Në kundërshtim me çdo parim, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, u falën 2 miliardë euro gjoba dhe kamata. Në kundërshtim me çdo parim, dy javë para zgjedhjeve u dekretuan 28,000, 29,000 hektarë kanabis nga 200 që parashikonte ligji. Pse u ndala në këtë? U ndala në këtë se jeni njerëz politikë. Vetëm për të vërtetuar faktin se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Me Edi Ramën ka farsë”,-tha Berisha.
“Por, dhe e vërteta është se ai zhvilloi farsë në 23-shin. E vërteta është se ai zhvilloi farsë në 2021-shin. E vërteta është se zhvilloi farsë në 2017-ën, 2019-ën. Ky është armik i votës. Ky s’pajtohet kurrë me vullnetin tuaj dhe votën tuaj. Sot ne kemi përballë një regjim qeverisës me klanet më të fuqishme të drogës në Europë dhe ndër më të fuqishmet e botës. Klane që lëvizin miliarda, miliarda. Franc Çopja, 6 miliardë. A mund t’i imagjinoni ju? Një njeri që ja mësuam emrin para pesë muajsh, ai kishte 6 miliardë euro nga kanabis. I lidhur si mishi me thoin me Edi Ramën. Karteli tjetër kontrollon plazhet e, më falni, portin e Durrësit. Ai tjetri që, ai xhongleri që del, Luca, i ndjekur në katër anët, ai administronte portin dhe mori në koncesion portin e peshkatarëve. I ndjekur gjatë periudhës sonë në të 4-anët nga italianët dhe të gjithë për trafik droge. Këtu erdhi në Vlorë, këtu erdhi në Shëngjin. Portet tona, porte të lira droge. Jeni në dijeni të aferave të tmerrshme korruptive”, shtoi Berisha.














